LAJMI I FUNDIT:

Kosova e Re, nuk e sjell dritën

Kosova e Re, nuk e sjell dritën

Termocentrali Kosova e Re nuk do të zgjidhë problemin e energjisë në Kosovë. Me reduktimin e kapaciteteve nga 2100 MW në 300 MW sa do të ndërtohen fillimisht, nuk plotësohet as për së afërmi kërkesa për energji në Kosovë. Ministrja Justina Shiroka-Pula thotë se reduktimi i kapaciteteve është propozim i Bankës Botërore. Këta të fundit nuk japin garanci për më shumë se 600 MW.

Njohësit e ekonomisë thonë se kapacitetet e reja të deklaruara nga ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, nuk plotësojnë kërkesën për energji të Kosovës. Projekti i këtij termocentrali, sipas tyre, ka devijuar tashmë edhe nga parashikimet e strategjisë së energjisë 2009-2018. Në strategji ishte paraparë që Kosova e Re të ndërtohej fillimisht me 1000 MW, në mënyrë që nga viti 2015 të plotësonte kërkesën për energji nga të gjithë shfrytëzuesit e energjisë në Kosovë.

Mirëpo, ministrja Shiroka-Pula pohon se projekti Kosova e Re do të ndryshojë prapë me kërkesë të Bankës Botërore.

“Banka Botërore jep garanci vetëm për 600 megavat, dhe ky është propozim që ka dalë pra nga BB-ja dhe i është prezantuar grupit të ekspertëve, komitetit drejtues dhe të këshilltarëve të USAID-it”, thekson Shiroka-Pula.
Sipas saj, fillohet me këto kapacitete, për të vazhduar pastaj me kapacitet e reja deri në 1000 megavat.


Ndërkaq, zyrtarët e Bankës Botërore thonë se e mirëpresin çdo vendim që merr Ministria për projektin e termocentralit dhe përsëri ia rikujtojnë Ministrisë kufijtë se deri në çfarë kapacitetesh mund të shkojë.

“Banka Botërore ofron mundësinë e mbulimit të garancisë nga rreziku për cilindo nga kapacitetet e termocentralit që arrin deri në 600 megavat”, konfirmon zyrtarja për informim e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Lindita Lepaja.

Por, për drejtorin e Institutit për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, çdo kapacitet nën 1000 megavat do të ishte i pamjaftueshëm për nevojat ekonomike të Kosovës. /gazetaexpreess/