LAJMI I FUNDIT:

Integrimi në veri, përmes investimeve?

Integrimi në veri, përmes investimeve?

Përfaqësues të lartë evropianë gjithnjë e më shumë zotohen për investime të ndryshme në veri të Kosovës.

Por, analistët politikë dhe ekspertët e ekonomisë thonë se çdo investim që mund të ndodhë në atë pjesë, pa një marrëveshje politike, nuk mund të ketë sukses. Eksperti Muhamet Musatafa thotë se normalizimi dhe integrimi i veriut të Kosovës do të bëhet vetëm atëherë kur lidershipi kosovar të arrijë një marrëveshje me serbët e asaj ane.

“Unë mendoj se vetëm një aktivitet më i sinkronizuar dhe më kompleks, që do të përfshinte dhe veprimin politik dhe ndikimin e regjimit serb, do të ketë sukses. Investimet mund ta përmirësojnë nivelin e jetesës, të krijojnë ndoshta edhe raporte biznesore midis pjesës tjetër të Kosovës dhe asaj pjese, por problemi definitivisht është në sferën politike”.“Dhe, problemi në sferën e politikës është i injektuar nga regjimi serb.Prandaj, unë mendoj se duhet të jetë një kombinim optimal i masave ekonomike dhe politike në këtë drejtim”, thotë Mustafa.

Eksperti Muhamet Mustafa kritikon institucionet e Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar për mosfuqizimin e ligjshmërisë në veri të Kosovës. Sipas Mustafës, zotimet e zyrtarëve të lartë evropianë për investime në veri të Kosovës aktualisht nuk mund të shihen me optimizëm, që mund të ndihmojnë në normalizimin e gjendjes dhe integrimin e veriut.
“Këto deklarata që sigurisht se do të ketë investime, unë i shoh vetëm si masa të izoluara, meqë nuk veprohet në mënyrë komplekse, me një program për integrimin e asaj pjese të Kosovës. Nuk jam shumë optimist se vetëm me ato investime do të nxirret diçka”, thotë Mustafa.


Edhe analisti politik, Halil Matoshi, konsideron se mënyra më e mirë për integrimin e veriut të Kosovës është fuqizimi i ligjeve, zbatimi i strategjisë për veriun dhe investimet.

“Absolutisht, strategjia e hartuar prej Qeverisë së Kosovës duhet të jetë në koordinim të plotë me paratë, do të thotë me fondet, qofshin ato të Qeverisë, të buxhetit të Kosovës, qofshin ato donacione dhe ndihma të Bashkimit Evropian – këto shkojnë në paketë”, shprehet Matoshi. Për integrimin e veriut dhe relaksimin e raporteve atje, Matoshi thotë se është i nevojshëm zhvillimi ekonomik i asaj pjese.
“Në raport me veriun e Kosovës, duhet zhvillimi ekonomik, që nuk është për lakmi si në tërë Kosovën. Edhe vendet e Bashkimit Evropian, edhe Brukseli zyrtar po binden që Kosova është e pandashme, megjithëse ka solucione dhe ide të ndryshme.

Mirëpo, vetë ideja që të investohet në veriun e Kosovës, do të thotë që veriu i Kosovës është pjesë integrale e Kosovës”, deklaron Matoshi. Sidoqoftë, autoritetet në Prishtinë thonë se nevojiten hapa të koordinuar edhe me faktorin ndërkombëtar, si dhe planifikim i shpenzimeve financiare në lidhje me zbatimin e strategjisë për veriun.
Por, sipas analistëve, përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që veprojnë në Kosovë, vazhdojnë të mbeten në kërkim të formulës adekuate për fillimin e zbatimit të strategjisë për shtrirjen e autoritetit në veri të vendit. (Rel)