LAJMI I FUNDIT:

Tenderët njëburimorë “shterën” milionat publikë të Kosovës

Tenderët njëburimorë “shterën” milionat publikë të Kosovës

Raporti mbi prokurimin publik njëburimor dhe kontrata të negociuara të Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë për një shumë të madhe të të hollave, të cilit gjatë vitit 2009 janë dhënë në mënyrë njëburimore tek kompanitë private nga autoritetet kontraktuese të Republikës së Kosovës.

Në raportin e APP-së, siç shkruan sot “Koha Ditore”, flitet për mbi 73 milionë euro të dhëna në tenderë njëburimorë tek kompanitë private gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit më 2009.

Por, kjo e dhënë bie ndesh me raportin e Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik, sipas të cilit vlera e kontratave me procedurë të negociuar më 2009 arrin në 87 milionë euro.
Kryesisht janë kompanitë publike ato që janë implikuar në tenderë në të cilët kanë konkurruar vetëm nga një kompani e të cilave u janë dhënë milionat pa asnjë lloj konkurrence nga ndonjë kompani tjetër ofertuese.

Të gjithë këta tenderë janë dhënë me leje të Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërsa nënshkrues për lejimin e tyre ka qenë vetë Ilir Rama, shef i kësaj agjencie.


Ky i fundit javën e kaluar ka dhënë dorëheqje, pak ditë pas fillimit të hetimeve të zhvilluara në disa institucione shtetërore nga hetuesit ndërkombëtarë të EULEX-it.(koha)