LAJMI I FUNDIT:

Euro, nuk shihet fundi i krizes

Euro, nuk shihet fundi i krizes

Euroja po kalon nëpër krizën më të thellë në historinë e saj të shkurtër. Qeveritë e eurozonës janë pajtuar për ndarjen e një pakoje ekonomike për shpëtimin e sistemit financiar, por kjo nuk do të mjaftojë për shpëtimin e monedhës së përbashkët. Nëse shtetet anëtare e kanë vërtetë ndërmend ta shpëtojnë bashkimin ekonomik, atëherë duhet të heqin dorë prej egove të tyre dhe duhet ta shtojnë integrimin politik.

Revista gjermane, “Der Spiegel”, ka vlerësuar të shtunën se nuk mjaftojnë samitet, pakot urgjente dhe takimet e ministrave kohë pas kohe për ta nxjerrë një herë e përgjithmonë bashkimin monetar nga kriza.
Ministrja franceze e Financave, Christine Lagarde, ka sugjeruar themelimin e një akti ligjor që do të hapte rrugën për krijimin e një mekanizmi federativ evropian për mbarëvajtjen e tregut financiar të eurozonës. Por ky do të mund të sillte dështim të sistemeve financiare të vendeve me centralizëm të madh financiar – si Gjermania dhe Holanda.

“Der Spiegel” në analizën e saj thotë se janë vetëm dy rrugë për të dalë nga ky qorrsokak: Mund të shohim një proces të gjatë reformues që do të zgjasë për muaj ose vjet. Ne mund të shohim një rrëshqitje drejt inflacionit meqë Bankës Qendrore Evropiane i është vënë detyra stimulimi ekonomik i qeverive që kanë borxhe të mëdha financiare.

Komisari evropian për financa. Oli Rehn, ka thënë se shtetet anëtare duhet të jenë të përgjegjshme, sepse nuk duhet të presin se në raste krizash do të ndihmohen nga vendet tjera anëtare. Ai kishte të drejtë. Por vendeve që po i sjellin telashe eurozonës duhet po ashtu t’iu bëhet e qartë se duhet t’i respektojnë me përpikëri rekomandimet e bllokut monetar.


Rehn nuk ka dhënë shumë detaje se si do të reformohet sistemi financiar evropian. Por pak minuta pas deklaratës së komisarit evropian, Franca paralajmëroi se në rast se nuk do të ketë një rregullim më të ashpër evropian, mund t’ia kthejë kompetencat Parisit. Madje kryeministri francez, Nicolas Sarkozy, ishte kërcënuar me tërheqje të Francës nga eurozona.
Pore pikërisht këto çështje do të jenë vendimtare për të ardhmen e euros. Gjermania ka thënë se ligji për financat “është çështje e parlamenteve kombëtare”.

Kjo çështje do të vendosë të ardhmen e euros. A jemi ne të gatshëm t’iu japim më shumë para dhe më shumë kompetenca institucioneve të përbashkëta evropiane, shtron pyetjen “Der Spiegel”. Euroja do të arrijë të mbijetojë vetëm nëse shtetet anëtare të eurozonës do të jenë të gatshme të tregojnë vullnet për bashkëpunuar më shumë me mekanizmat evropian dhe të heqin dorë prej disa kompetencave kombëtare. “Evropa nuk ka pse ta fajësojë askënd tjetër për situatën e vështirë në të cilën është”, thuhet në analizë.

Liderët janë pajtuar se rregullat e vjetra të eurozonës janë të dala jashtë mode dhe nuk ofrojnë zgjidhje për situata krize, si kjo e fundit e shkaktuar nga deficiti enorm buxhetor i Greqisë. Rehn e pranoi se situata kërkon ndryshime, “por a ka rregulla të reja dhe çfarë ofrojnë ato?”

Eurozona ka ndarë një fond prej 750 miliardë eurosh për nxjerrjen e sistemit
financiar evropian nga kriza, por realiteti tregon se duhen krijuar stabilitet financiar me qëllim që të mos shkaktohen përplasje ndërmjet anëtarëve. Gjermania ishte shumë e vendosur të mos ndihmonte Greqinë, dhe vetëm në momentet e fundit lëshoi pe. Ko i kushtoi kancelares Angela Merkel me humbjen e zgjedhjeve në një shtet të fuqishëm federal. “Pra si i lejuam gjërat të shkojnë kaq larg? Çfarë s’ishte në rregull? Pse euroja – e cila për vite me radhë dukej se po funksiononte shumë mirë – papritur pësoi një goditje?”
Këto pyetje presin përgjigje të prera.