LAJMI I FUNDIT:

Senati voton për auditimin e Rezervës Federale

Senati voton për auditimin e Rezervës Federale

Për herë të parë në historinë e saj 95-vjeçare, Banka Qendrore e Amerikës, e njohur si Rezerva Federale, do të auditohet në mënyrë të pavarur, për një pjesë shumë të madhe të dokumenteve të saj. Kështu ka vendosur Senati amerikan. Ky vendim shumë i rëndësishëm për transparencën e sistemit bankar në vend është marrë pas një vote unanime, që është pjesë e një sërë amendamentesh të lidhura me reformën në sistemin financiar.

Auditimi, pra kontrolli, do të ketë të bëjë me veprimet e Rezervës Federale dhe me huadhëniet që ajo u bëri bankave të mëdha gjatë periudhës së kulmit të krizës financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Auditimi do të detyrojë Bankën Qendrore që të publikojë emrat e përfituesve të programit të asistencës urgjente që u vu në veprim në dhjetor të vitit 2007.

Auditimi që do të kryhet nga Zyra Qeveritare e Llogarisë, është një kompromis mes disa politikanëve që kanë kërkuar një proces auditimi të përvitshëm dhe vetë bankës, e cila i ka rezistuar në të gjitha mënyrat thirrjeve dhe kërkesave të tilla.


Auditimi nuk do të lejojë komentin e vendimeve të bankës, në lidhje me vendimet për përqindjet e interesit, por ndërkohë do të komentojë në lidhje me mënyrën e paprecedentë me të cilën Fed dha shuma të mëdha parash për disa banka në prag të falimentimit e mbi të gjitha, duke e bërë këtë pa aprovimin e Kongresit. Rezerva Federale që drejtohet nga Ben Bernake i është kundërvënë auditimeve të përvitshme të veprimtarisë së saj, duke argumentuar se ajo ka nevojë për pavarësi në marrjen e vendimeve të saj të rëndësishme dhe si mosndikim politik në vendimmarrjen e politikave financiare.