LAJMI I FUNDIT:

Portugalia premton për një kurs të ashpër kursimi

Portugalia premton për një kurs të ashpër kursimi

Duke patur parasysh shqetësimin për një zgjerim të krizës greke të borxheve në Evropë, Portugalia i ka premtuar patnerëve të euro-zonës se deficiti buxhetor i saj për këtë vit po përmirësohet shumë.

Kryeministri Jose Socrates deklaroi në kuadër të samitit të posaçëm për euron në Bruksel, se qeveria e pakicës së tij socialiste do të ngrijë dy projekte të mëdha infrastrukturore në Lisbonë.

Kështu deficiti do të reduktohet në 7,3 për qind. Më parë krerët e shteteve dhe qeverive të euro-zonës i kishin dhënë dritën e gjelbër paketës kreditore prej 110 miliardë eurosh për Greqinë.

Kancelarja Angela Merkel përforcoi vendosmërinë e shteteve të euros për të mbrojtur monedhën e përbashkët kundër spekulatorëve.


Këtë të diel ministrat e financave të BE-së do të vendosin që Komisioni i BE-së në të ardhmen të jetë në gjendje të marrë kredi për vende të veçanta të euros kur këto kërcënohen nga paaftësia për të paguar.