LAJMI I FUNDIT:

Fitimet e bankave në Shqipëri rriten me 4.7 herë

Fitimet e bankave në Shqipëri rriten me 4.7 herë

Fitimet neto të sistemit bankar shqiptar u rritën me 4.7 herë në krahasim me një vit më parë gjatë periudhës janar-mars, duke arritur në 1.6 miliardë lekë (11.5 milionë euro), bëhet e ditur nga bilanci i sistemit i publikuar dje nga Banka e Shqipërisë.

Në tremujorin e parë 2009, kur bankat vuajtën pasojat e krizës financiare ndërkombëtare, sistemi bankar pati siguruar vetëm 275 milionë lekë fitime neto, për shkak se shumica e fitimeve u kanalizuan për fondin e provigjoneve që garanton mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë e këqija.

Fitimet e sistemit bankar janë ende më të ulëta se ato të realizuara në vitin 2008, pra para fillimit të krizës.
Statistikat tregojnë se sistemi bankar në Shqipëri duket se i ka kapërcyer problemet e krijuara nga kriza dhe se është në gjendje të prodhojë fitime pavarësisht kredive të këqija, të cilat vijuan të rriten edhe në tremujorin e parë. Të dhënat e BSH tregojnë se kreditë standarde, pra kreditë që shlyhen normalisht, ranë në 81 për qind të totalit gjatë tremujorit të parë të këtij viti, nga 89.5 për qind që patën qenë në mars 2009.

Huat e klasifikuara si të humbura, u rritën në 3.2 për qind. Kreditë e humbura janë dyfishuar në krahasim me një vit më parë.