[tag_tagmanagerringier]a Bankat amerikane kthejnë superbonuset - Telegrafi - Telegrafi Bankat amerikane kthejnë superbonuset - Telegrafi
LAJMI I FUNDIT:

Bankat amerikane kthejnë superbonuset

Bankat amerikane kthejnë superbonuset

Shumë prej tyre do të ndajnë shpërblime të majme, si ato të kohës së bumit ekonomik

Mendohet se do të nisë mes polemikave të mëdha dhe zemërimit publik sezoni i bonuseve të vitit 2010, veçanërisht për bankierët. Që nga viti i kaluar, kjo temë ishte bërë subjekt i një debati të gjatë, që aktualisht rrezikon të bëhet më e zjarrtë se kurrë.

Kjo, për shkak edhe të rritjes së diferencave në pagesa në këtë kohë të krizës ekonomike, që ka peshuar më shumë mbi të rinjtë dhe familjet me një pagë të vetme. Në të vërtetë, pavarësisht ftesave për t’i shkurtuar, shumë banka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten të shpërndajnë çeqe të majme, që për disa institute mund të jenë fare të ngjashme me ato të viteve të bumit ekonomik.

Sipas “New York Times”, këto banka janë plotësisht të ndërgjegjshme se pagesat me gjashtë, shtatë apo tetë shifra do ta zemërojnë shumë opinion publik. Prej kohësh flitet për një shkurtim të këtyre shpërblimeve të majme për bankierët, sidomos tani që vendi nuk i ka kaluar ende pasojat e krizës ekonomike.


Ky shqetësim ka bërë që shumë banka të shikojnë praktikat e shpërndarjes së pagesave, duke favorizuar pagimin me aksione në vend të atij me para në dorë. Bonuset janë objekt i rritjes së vëmendjes, si nga ana e Uashingtonit ashtu edhe nga autoritete të tjera, si prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut, Andrju Cuomo, i cili vitin e kaluar ka kërkuar llogari mbi shpërndarjen e shpërblimeve nga ana e tyre.

“Shumë bankierë kanë frikë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si Britania e Madhe mund të vendosë të aplikojë taksën mbi bonuset, sipas asaj që është propozuar nga demokrati Dennis Kucinich", shkruan “New York Times”. Banka “Goldman Sachs” po përgatitet t’u shpërndajë vartësve të saj rreth 595 mijë dollarë secilit për vitin 2009.

Edhe punëtorët e “Jp Morgan” do të marrin mesatarisht nga 463 mijë dollarë. Sipas John Reed, një prej themeluesve të “Citigroup”, Wall Street, nuk do ta rifitojë besimin publik deri kur nuk do të arrijë të reduktojë këto shpërblime në mënyrë shumë domethënëse.

“Nuk ka asgjë që më bën të kuptoj se këta njerëz kanë mësuar diçka nga kriza”, vazhdon më tej ai. Mbi të gjitha vëmendja është përqendruar mbi lëvizjet e “Goldman Sachs”, objekt i kritikave të forta, ku të fundit erdhën nga ish-administratori i deleguar i AIG, Henry Greenberg, që akuzon bankën se është përgjegjëse e rrënimit të kësaj shoqërie sigurimi. Në vitin 2007, administratori i deleguar i “Goldman Sachs”, Lloyd Blankfein ishte paguar 68 milionë dollarë, një shifër rekord në “Wall Street”, ndërsa vitin e shkuar nuk mori bonus.

Tani pritet të shohim se sa do marrë për 2009-n, një nga vitet më të begata në historinë e bankës. Duket sikur në këta dy vjet nuk ndodhi asgjë dhe sikur të mos ishte pikërisht kjo mënyrë që po risjell fitime, shkaku kryesor i krizës financiare dhe asaj bankare njëherazi.

Kolapsi i sistemit financiar u parandalua, por kjo vetëm falë shpenzimeve të stërmëdha publike. Qeveritë i furnizuan bankat “e sëmura” me kredi të garantuara dhe bankat qendrore injektuan në tregje miliarda euro e dollarë. Por tani, që më e keqja duket se është hedhur pas shpine, bankat që e kanë marrë veten i janë rikthyer të njëjtës mënyrë funksionimi që i futi në telashe. Madje më keq se kaq.

Falë garancisë që kanë nga qeveritë për sektorin financiar dhe paratë e lira nga bankat qendrore, për bankat e investimeve bërja e parave nuk ka qenë kurrë më e lehtë se sot.