[tag_tagmanagerringier]a PTK ofron ndihmë për familjet e përmbytura në Shqipëri - Telegrafi - Telegrafi PTK ofron ndihmë për familjet e përmbytura në Shqipëri - Telegrafi
LAJMI I FUNDIT:

PTK ofron ndihmë për familjet e përmbytura në Shqipëri

PTK ofron ndihmë për familjet e përmbytura në Shqipëri

Posta dhe Telekomi i Kosovës ka ofruar ndihmë në vlerë prej 10 mijë euro për banorët e përmbytur në Shqipëri, të cilët prej ditësh qëndrojnë jashtë shtëpive të tyre, për shkak të përmbytjeve.

Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha deklaroi se PTK-ja i është bashkëngjitur ndihmës së Qeverisë së Kosovës për banorët që kanë pësuar nga vala e rëndë e përmbytjeve në Shqipëri.

“Meqë kemi të bëjmë me një problem emergjent, të cilit po përpiqen t’i përgjigjen subjekte të shumta vendore dhe ndërkombëtare, edhe PTK-ja e ka ndier të nevojshme që në saje të angazhimit të vet të jetë e pranishme në përpjekjen për t’i ndihmuar njerëzit e këtyre trevave për përballimin e kësaj gjendje. Tani për tani, ndihma jonë për zonat e vërshuara në Shqipëri, kap shumën prej 10 mijë eurosh, të cilat do të jenë ndihmë e menjëhershme që do t’u dërgohen banorëve më të prekur të këtyre zonave”, u shpreh Haxha.

Sipas tij, përveç kësaj ndihme materiale, PTK, ka paraparë edhe një formë tjetër shtesë për të mbledhur ndihma duke ua mundësuar të gjithë konsumatorëve të VALA-së dhe Telekomit që ta bëjnë këtë me anë të thirrjeve apo dërgimit të sms-ve.


“Ne do të lansojmë që nga sot shërbimin për ndihmë shtesë gjithë familjeve të përmbytura në Shqipëri që do të jetë: Ndihmo familjet e përmbytura në Shqipëri nga vërshimet duke thirrur në 0900900 apo duke dërguar SMS ne 8090. Thirrja dhe SMS kushton 50Cent”, theksoi Haxha

Të gjithë konsumatorët e VALA-s dhe Telekomit mund t’i qasen këtij shërbimi për ndihmë duke realizuar thirrje apo dërguar SMS dhe do të zgjat një muaj duke filluar nga dita e sotme.

PTK njofton se tërë shuma e mjeteve të tubuara do të jetë një ndihmë e qind për qindtë (100%) për banorët e zonave të përmbytura në Shqipëri. Pas një muaji PTK do të bëjë publikimin e mjeteve të mbledhura nga kjo nismë e saj dhe menjëherë do t’u dërgohen banorëve të dëmtuar. /Telegrafi/