LAJMI I FUNDIT:

Përfundon shkolla për Integrime Evropiane

Përfundon shkolla për Integrime Evropiane

Ligjëratat kanë pasur të bëjnë me historikun e Bashkimit Evropian, idenë dhe zanafillën e BE-së, procesin e vendimmarrjes e deri te hartografimi i institucioneve të Bashkimit Evropian si dhe nëpër proceset që duhet të kalojnë vendet e Ballkanit perëndimor që të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Gjenerata e nëntë të Shkollës për Integrime Evropiane (SHIE) ka diplomuar këtë javë. Mbi 50 pjesëmarrës të kësaj shkolle që vijën nga institucionet e ndryshme, mediave, shoqërisë civile të Kosovës, për tre muaj kanë ndjekur ciklet e ligjëratave intensive nga fusha e integrimeve evropiane duke filluar nga Traktati i Romës e deri tek ai i Lisbonës që ka hyrë në fuqi javë më parë.

Ligjëratat kanë pasur të bëjnë me historikun e Bashkimit Evropian, idenë dhe zanafillën e BE-së, procesin e vendimmarrjes e deri te hartografimi i institucioneve të Bashkimit Evropian si dhe nëpër proceset që duhet të kalojnë vendet e Ballkanit perëndimor që të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, ka thënë se ky është një kontribut, të cilin shoqëria civile vazhdimisht e sjell në kuadër të procesit të integrimeve evropiane, duke ngritur nivelin e njohurive dhe përgatitjen e kuadrove që do të jenë bartëse të këtij procesi në faza të ndryshme.

“Ky është një kontribut modest, qytetarët dhe zyrtarët nga sektorë të ndryshëm kanë shumë nevojë për njohuri dhe informata që të jenë në gjendje të marrin vendime të bazuara në informim dhe argumente të bazuara”, ka thënë ai. Sipas Currit të gjithë këta që kanë kryer këtë shkollë do të japin kontributin e tyre në institucionet ata punojnë.
Ndërsa pjesëmarrësi Alfred Marleku është shprehur se nëpërmjet leksioneve nga kjo shkollë, shpreson të ketë një pasqyrë më të mirë për integrimet evropiane që janë shumë të rëndësishme për shtetin më të ri në botë.
“Shkolla për Integrime Evropiane ka një rëndësi për të ardhmen evropiane të vendit, që është synim i çdo kosovari, ne shpresojmë ta japim kontributin tonë, duke e marrë parasysh se Kosova është duke kaluar nëpër faza të integrimit evropian”, ka deklaruar ai.
Programi për gjeneratën IX të kësaj shkolle është përbërë nga leksione të ndryshme, lidhur me integrimet evropiane, politikat kryesore të BE-së, BE-në si lojtare global dhe ku gjendet Kosova dhe Ballkani Perëndimor në procesin e integrimeve.


Gjatë këtij projekti janë paraparë edhe organizime të ligjëratave të hapura edhe për publikun me ekspertë vendorë dhe rajonalë, por edhe nga Brukseli. Shkolla për Integrime Evropiane organizohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, kurse mbështetet nga Fondacioni SOROS. Konkursi për gjeneratën e 10 hapet në janar.