LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti, 1.2 mln udhëtarë dhe rreth 11 mln euro fitime të pastërta

Aeroporti, 1.2 mln udhëtarë dhe rreth 11 mln euro fitime të pastërta

Gjatë vitit 2008, numri i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ishte 1 milionë e 137 mijë udhëtarë ndërsa fitimet neto rreth 7 milionë euro.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinë po mbyll vitin 2009 më një shifër të jashtëzakonshme të rritjes së numrit të udhëtarëve, fluturimeve dhe fitimeve neto, krahasur me vitin paraprak, 2008.

“Janë rreth 11 milionë euro fitime në vitin 2009, apo më shumë se 50 përqind nga viti 2008, kur fitimet në ANP ishin rreth 7 milionë euro. Fitimet e realizuara këtë vit tejkalojnë të gjitha parashikimet”, tha Drejtori Menaxhues Agron Mustafa, duke shtuar se totali i të hyrave të përgjithshme të kompanisë do të jetë rreth 30 milionë euro duke përfshirë disa të hyra të jashtëzakonshme.

Ai ka treguar se për dallim nga vitet e tjera kur fitimet e kompanisë janë investuar në projekte kapitale në vitin 2010, investimet kapitale janë të reduktuara në minimum dhe fitimet nuk do të investohen, por do të jenë të akumuluara dhe për fatin e tyre do të vendosë aksionari, që në këtë rast është qeveria e Kosovës.


“Me kënaqësi deklaroj që aksionarit, Qeverisë – buxhetit të Kosovës në momentin e dhënies me koncesion të Aeroportit, do të jemi në gjendje ti lëmë në dispozicion një shumë prej rreth 10 milionë euro në emër dividentës. Kjo shumë do të ishte shumë më e madhe, por aeroporti ka pasur investime kapitale në vitet e fundit prej miliona eurove dhe siq e dini në gusht të këtij viti ne kthyem një kredi prej 5.4 milion euro të marrë para dy viteve, çka pa dyshim ka ndikuar në rrjedhën e parasë së gatshme të aeroportit, e cila rrjedhë e parasë prapë se prapë është pozitive”, tha Mustafa.

Numri i udhëtarëve gjatë këtij viti u rrit për rreth 6 përqind krahasuar me 2008, ndërsa rrritja e numrit të fluturime shkon nga 17 deri në 20 përqind.

“Po mbyllim vitin më shifra jashtëzakonisht të sukseshme dhe premtuese për të ardhmen e kompanisë. Shprehur në përqindje rritja e numrit të udhëtarëve shkon në rreth 6 përqind, që paraqet një shifër të konsiderushme duke pasur parasysh krizën ekonomike dhe rënien e numrit të udhëtarëve gati në të gjithë aeroportet e regjionit dhe më gjërë”, tha drejtori menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa.
Vitin e kaluar nëpër ANP kaluan mbi 1 milionë e 100 mijë udhëtarë komercial ndërsa këtë vit, numri i udhëtarëve do të arrijë shifrën mbi 1.2 milion udhëtarë komercial.

Në 2008, për herë të parë u arrit dhe u tejkalua në historinë e kompanisë shifra prej 1 milionë udhëtarëve komercial.
“Veç rritjes së numrit të udhëtarëve, impresionuese paraqitet rritja e numrit të fluturimeve. Krahasuar me vitin 2008, kemi shërbyer rreth 1,000 aeroplanë më shumë” , tha tutje drejtori Mustafa.

Sipas tij, arsyeja e rritjes kaq të madhe të numrit të fluturimeve, 17 deri 20 përqind apo rreth 1000 fluturime më shumë, është fakti se ANP ka filluar të punojë 24 orë dhe 7 ditë në jave si dhe ofrimi i Programit Nxitës dhe Stimulues për Aviokompanitë.

“Puna 24 orë dhe Programi Nxitës dhe Stimules për Aviokompanitë bëri që mjaft kompani ekzistuese të rrisin numrin e fluturimeve dhe disa të tjera të shtojnë interesimin që të fillojnë për herë të parë fluturimet nga dhe për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kemi kompani që pas fillimit të punës në orarin e natës dhe programit sitmules nga 7 fluturime që kishin më parë , tani fluturojnë 14 herë në jave. Shumica prej kompanive përgjithsisht kanë rritur fluturimet për shkak të përfitimeve që ju sjell ky progami, gjë që ka sjellë që numri i fluturimeve të jetë më i madh për rreth 1,000 fluturime”, pohoi Mustafa.