LAJMI I FUNDIT:

Qeveri-CEZ, akuza të ashpra për kufizimet

Qeveri-CEZ, akuza të ashpra për kufizimet

Edhe Kosova ka vendosur ta privatizojë distribucionin e KEK-ut, megjith problemet e mëdha që janë duke u shfaqur në Shqipëri dhe Maqedoni.

Privatizimi i nxituar i OSSH-së duket se po jep frytet e para negative. Nuk janë bërë ende 6 muaj që CEZ ka marrë drejtimin e shpërndarjes së energjisë dhe konflikti me qeverinë duket hapur se rrezikon marrëveshjen.

Tensioni është ndier që në fillim të javës së shkuar, kur ERE vendosi të mos e miratojë kërkesën e CEZ-it për rritje çmimi 23 për qind, ndërsa operatori privat reagoi se rrezikon kolapsin ekonomik. Ende pa u mbyllur debati mbi rritjen e çmimit, tashmë konflikti me qeverinë ka kaluar në çështjen e kufizimeve, të cilat ditët e fundit janë bërë të shpeshta.

"Thuhet se kufizimi po ndodh për shkak të remontit, por kam informacione se OSSH-ja në një mënyrë të padrejtë është duke bërë stakime të energjisë elektrike edhe për pjesë të tjera, apo për zona të tjera të Shqipërisë, për të cilat ajo nuk duhet t‘i bëjë", u shpreh dje ministri i Energjetikës, Dritan Prifti. Gjatë një konference për shtyp, ministri deklaroi se mes CEZ-it dhe qeverisë ka një marrëveshje që siguron furnizim 100 për qind pa ndërprerje. Nuk ka munguar reagimi i drejtuesve të kompanisë, duke rrëzuar poshtë pretendimet e ministrit Prifti dhe argumentuar se kufizimet po ndodhin vetëm për qëllime remonti.


Për ministrin do të ishte e pafalshme nëse CEZ-i po hakmerret për mosmiratimin e rritjes së çmimit në masën që kërkoi dhe apeloi për kujdes.

"Në rast se kanë ndonjë pretendim për çmimin e energjisë, le ta ankimojë në gjykatë", theksoi kreu i Energjetikës. Ndërkaq, disa biznese që e ushtrojnë aktivitetin në aksin Tiranë-Durrës ankohen për kufizime që zgjasin çdo ditë 3-4 orë. Subjektet nuk e kuptojnë ndërprerjen, për shkak se janë pagues të rregullt të faturave. Një pjesë e mirë e subjekteve i përket sektorit të fasonit, ku më së shumti operojnë me makineri që kërkojnë rrymë elektrike.

Ministri i Energjetikës akuzoi kompaninë OSSH-së se po kryen kufizime në mënyrë jo të drejtë, në një kohë që ka një marrëveshje me qeverinë për furnizim 24 orë. "Nuk mund të ketë dënime kolektive, sepse disa persona të tjerë nuk paguajnë. Edhe nëse një njeri i vetëm paguan në një fshat, ai duhet të ketë energji elektrike. Ata që nuk e paguajnë energjinë jemi dakord që t‘u bëjnë stakime individuale, por nuk jemi dakord që të penalizohet asnjë lagje apo qytet, për shkak se disa nuk paguajnë. Këtë ia kam bërë të qartë OSSH-së dhe do t‘ia bëj të qartë edhe nëpërmjet një letre që do të dërgoj", ka deklaruar ministri Prifti.

Por, kompania OSSH e hedh poshtë pretendimin e ministrit.

"OSSH-ja kundërshton me forcë se është duke përdorur ndëshkime kolektive të konsumatorëve dhe thekson se është duke punuar që të sigurojë furnizim cilësor për të gjithë periudhën e festave të fundvitit", reagoi kompania. Ndërkaq, akuzat ndaj njëra-tjetrës kanë kaluar te modeli i punës. "Kompania OSSH-së duhet të monitorojë edhe njerëzit që punojnë atje, pasi mund të ketë edhe persona të papërgjegjshëm që bëjnë stakime të energjisë atëherë kur nuk duhen bërë", tha Prifti.

Sërish për OSSH-në ky fakt nuk është i vërtetë. "Në fakt, OSSH-ja u ka dhënë urdhër të gjitha agjencive të veta në të gjithë territorin e vendit që jo vetëm të punojnë intensivisht për të siguruar pa shkëputje furnizimin me energji elektrike, por madje të bëjnë edhe rilidhjen e ndërprerjeve të kryera kundrejt të gjithë debitorëve, me qëllimin që veçanërisht në periudhën e festave të fundvitit të mos ketë mungesa të furnizimit me energji elektrike", sqaron CEZ. /shqip/