LAJMI I FUNDIT:

OEK i kënaqur me 2009, pesimizëm për 2010

OEK i kënaqur me 2009, pesimizëm për 2010

Kryetari i OEK, Besim Beqaj, nuk u shpreh optimist se viti 2010, do të jetë vit i një ngritje të madhe ekonomike. Ndërsa vitin 2009 e cilësoi si vit shumë aktiv, vit ky i cili në momente të caktuara ka tentuar t’i sfidojë me veprime, të cilat nuk kanë qenë shumë të matura institucionalisht për koncepte zhvillimore ekonomike.

Edhe për Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), viti 2009 ka qenë vit i sukseseve, mirëpo i përcjellur me sfida të shumta.
Besim Beqaj, kryetar i OEK tha se ata janë relativisht të kënaqur me punën e OEK gjatë vitit 2009. Sipas tij, ky ka qenë një vit shumë aktiv, i cili në momente të caktuara ka tentuar t’i sfidojë me veprime, të cilat nuk kanë qenë shumë të matura institucionalisht për koncepte zhvillimore ekonomike.

“Vit ky, i cili ka ngritur OEK që të jetë partner i vërtetë me plot kuptimin e fjalës i pavarur dhe apolitik”, ka pohuar Beqaj.
“Kemi pasur tendencë për eliminimin e aspekteve burokratike nga ana e shtetit, por jo në mënyrë të suksesshme. Shpesh jemi ndodhur në situata, në të cilat na është dashur të mbrohemi nga veprime, të cilat nuk konsideroj se kanë qenë të koordinuara mirë nga interesi ekonomik dhe i qytetarëve”, u shpreh Beqaj.

Mirëpo, Beqaj nuk u shpreh optimist se në vitin 2010, do të ketë një ngritje të madhe ekonomike dhe se do të ketë një situatë jo të hovshme të zhvillimit. Ai tha se Kosova me CEFTA-n, nuk ka fituar në asnjë moment dhe investimet e huaja kanë qenë të mangëta.


Prioritet i OEK-ut për vitin e ardhshëm, sipas Beqajt, është përshpejtimi i aktiviteteve për zgjidhjen e çështjes se përfaqësimit të Kosovës në CEFTA, rritja e numrit të shërbimeve për komunitetin e biznesit si dhe fuqizimi i rolit të OEK-ut në proceset ekonomike-sociale.