LAJMI I FUNDIT:

Rritja ekonomike në Shqipëri 3 për qind

Rritja ekonomike në Shqipëri 3 për qind

“Edhe pse u pa një rënie e eksporteve dhe ulje të remitancave, ekonomia shqiptare vazhdon të regjistrojë një dinamikë pozitive, edhe pse në një nivel të ulët. Shqipëria pritet që të arrijë një rritje prej 3% në vitin 2009 dhe një tjetër rritje me 1.5% në vitin 2010”, thuhet në njoftimin e Bordit te BERZH.

Sipas BERZH politikat e shëndosha ekonomike, investimet e huaja në vazhdimësi, por edhe ekspozimi i kufizuar i Shqipërisë në tregjet globale ka ndihmuar në zbutjen e ndikimeve negative të krizës financiare botërore.

Duke u kthyer tek strategjia e re, kjo e fundit nënvizon progresin e arritur nga Shqipëria në vitet e fundit përmes politikave të reformave, të cilat kanë ndihmuar në përmirësimin mbi të gjitha të klimës së biznesit në vend dhe që ka dhënë një shtysë në përafrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Përsa i përket planeve konkrete Bordi i Bankës Europiane për Rikonstruksion dhe Zhvillim ka caktuar pikat kyçe, ku do të përqendrohet mbështetja siç janë forcimi i institucioneve të shtetit, përmirësimit i mëtejshëm i klimës së investimeve në vend, vazhdimi i investimeve në infrastrukturë dhe sigurimi i zhvillimit të sistemit bankar.


Që nga fillimi i aktivitetit të saj në Shqipëri BERZH ka investuar 545 milionë euro në një sërë sektorësh të ekonomisë nga të cilat 55 milionë euro gjatë këtij viti. Me një sërë projektesh të rëndësishme para, BERZH do të rrisë volumin e biznesit në Shqipëri në vitin 2010.