LAJMI I FUNDIT:

Investimet turke në Shqipëri, 860 milionë dollarë

Investimet turke në Shqipëri, 860 milionë dollarë

Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Turqisë ka qenë në qendër të takimit që kryeministri i vendit, Sali Berisha zhvilloi dje me presidentin turk, Abdullah Gyl dhe delegacionin që e shoqëronte. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për vendosmërinë e të dy vendeve për t’i zgjeruar dhe thelluar ato më tej në të gjitha fushat, në veçanti për sa i përket shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe zgjerimit të mëtejshëm të investimeve turke në Shqipëri. Në këtë kontekst, u vlerësua fakti që gjatë 4 viteve të fundit, investimet turke kanë njohur një rritje drastike, nga 150 milionë dollarë në vitin 2005, në 860 milionë dollarë në katër vitet e fundit.

Të dy personalitetet vlerësuan ecurinë e suksesshme të kompanive prestigjioze turke në investimet e tyre në Shqipëri, në shumë fusha, si dhe shprehën gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e energjisë, turizmit, policisë dhe ruajtjes së rendit, industrisë, metalurgjisë, etj.

Në takim u vlerësua efekti pozitiv që ka sjellë zbatimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes dy vendeve. Presidenti Gyl i bëri me dije Kryeministrit Berisha se gjatë vizitës së tij në Tiranë, delegacioni i tij përmban edhe një numër shumë të madh investitorësh e biznesmenësh turq, të cilët kanë vlerësuar lartë ndryshimet e jashtëzakonshme që po ndodhin në Shqipëri dhe reformat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka marrë për krijimin e klimës më të favorshme për thithjen e investimeve të huaja.