LAJMI I FUNDIT:

Kukës-Morin, urat me 4 korsi përfundojne në janar të 2011

Kukës-Morin, urat me 4 korsi përfundojne në janar të 2011

Pas shumë debate për gjerësinë e rrugës, qeveria vendosi zgjerimin e saj, në përputhje me linjat e Rrëshen-Kalimash, që është me 4 korsi. Sikurse mësohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në muajin korrik 2009 u zhvillua tenderi me vlerë rreth 10 milionë dollarë, ku fitues u shpall një bashkim firmash shqiptaro-sllovene. I gjithë procesi i punës lidhet me dublimin e urave, pjesa e Lotit II në aksin e Morinit, për shkak se qeveria vendosi zgjerimin e rrugës me katër korsi.

Rruga Durrës-Kukës nuk është vetëm pjesa Rrëshen-Kalimash, aq e përfolur për koston e lartë, dyshimet mbi kontratën etj. Konkretizimi i projektit për t‘u lidhur më shpejt me Kosovën ishte fillimi i punimeve Kukës-Morin, aksi i vetëm në të cilën kanë punuar firmat shqiptare, pjesëmarrëse në tender.

Dy urat (243 dhe 400 metra) që do të zgjerohen ndodhen në një terren të vështirë, kryesisht kodrinor dhe malor, në kuotat 353 metra mbi nivelin e detit.

Ura më e madhe në segmentin Kukës-Morin është ajo pranë ish-uzinës së bakrit në Rexhepaj, rreth 400 metra e gjatë dhe 50 metra e lartë. Sipas kontratës të lidhur në muajt e fundit, punimet duhet të përfundojnë brenda 18 muajve, që përkojnë me janarin e vitit 2011.


Deri tani është ngritur kantieri, kryesisht zyra, spostim dhe ndërtim linjash elektrike, si dhe kanë nisur disa gërmime në lumin Luma. Specialistët e firmës ndërtuese janë duke pritur analizat e karrierave, ku do të merret materiali bazë për prodhimin e betonit, si dhe certifikatat e cilësisë.

Për vitin që vjen, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka planifikuar rreth 2 milionë dollarë fonde vetëm pjesën e Lotit II, ku janë dy urat, përfshi dhe fonde të tjera shtesë, kurse për të gjithë aksin Kukës-Morin janë planifikuar rreth 12 milionë dollarë.