LAJMI I FUNDIT:

BE-ja nuk është e gatshme t’i miratojë ndihmë financiare Greqisë

BE-ja nuk është e gatshme t’i miratojë ndihmë financiare Greqisë

Dita e parë e Këshillit evropian në Bruksel tregoi se BE-ja tani për tani nuk është e gatshme të miratojë ndihmë financiare për Greqinë. Sipas kryeministrit suedez, Fredrik Rejnfeld, gjendja financiare e Greqisë është "problem i brendshëm, për zgjidhjen e të cilit duhet të sillen vendime të brendshme".

Mediumet theksojnë se përfaqësuesit e delegacionit grek në Bruksel, të kryesuar nga kryeministri Jorgos Papandreu, deklaruan se nuk përjashtohet mundësia që Greqia të kërkojë ndihmë financiare nga Unioni.

Çështja për problemin financiar të Greqisë u gjend në rendin jozyrtar të ditës, në ditën e parë të Këshillit Evropian, pasi që paraprakisht këtë javë, agjencia ndërkombëtare e rejtingut "Fiç" e uli rejtingun kreditor të vendit në nivelin më të ulët në eurozonë.

"Greqia duhet së pari vetë të ndërmarrë hapa të drejtë", theksoi ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble.


Paraprakisht, liderët e BE-së e hodhën poshtë mundësinë për bankrotim të Greqisë.

"Ekzistojnë disa supozime se vendi është para bankrotit, por unë personalisht nuk kam vërejtur diçka të tillë", deklaroi kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Klod Junker.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjithashtu e hodhi poshtë mundësinë e tillë, duke sqaruar se problemi e godet tërë Unionin.

Brengosja lidhur me financat shtetërore të Greqisë janë shtuar pasi që Qeveria e re e Jorgos Papandreut kumtoi se këtë vit, deficiti buxhetor do të jetë shumë më i lartë nga ai që pritet dhe do të arrijë rreth 12,7 për qind nga bruto prodhimi vendor i shtetit.