LAJMI I FUNDIT:

BERZH i premton Shqipërisë 50 milionë euro kredi

BERZH i premton Shqipërisë 50 milionë euro kredi

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim po diskuton mundësinë për t‘i akorduar Shqipërisë 50 milionë euro kredi shtesë për projektin e rehabilitimit të rrugëve lokale, që synon të rinovojë rreth 500 kilometra rrugë fshati në të gjithë vendin, bëhet e ditur nga agjencia "balkans.com".

Projekti fillestar ishte bazuar në kredi me vlerë të përgjithshme prej 137 milionë eurosh dhe financohej pjesërisht nga Banka Botërore dhe pjesërisht nga Banka Europiane për Zhvillim e OPEK.

Kreditë e mësipërme ndihmuan Shqipërinë që për herë të parë që nga koha e komunizmit të riparonte, rikonstruktonte dhe ndërtonte nga e para rrugët e fshatrave, të cilat qenë prishur deri në themel nga koha e gjatë e mungesës së mirëmbajtjes.
Projekti është parashikuar që të realizohet brenda një periudhe prej 4.5 vjetësh dhe të përfundojë më 12 dhjetor 2012.

Projekti i rrugëve dytësore dhe lokale është në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013. Projekti synon të ndërtojë dhe përmirësojë rreth 1500 kilometra rrugë dytësore dhe lokale.


Në këtë kuadër, financime paralele janë diskutuar dhe siguruar paraprakisht nga një numër kreditorësh dhe donatorësh, si Banka Botërore, fondi OPEC-ut, Bashkimi Europian, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Banka Europiane e Ndërtimeve etj.