LAJMI I FUNDIT:

Daimler Benz zhvendos një degë prodhimi në SHBA

Daimler Benz zhvendos një degë prodhimi në SHBA

Prodhuesi i automobilëve Daimler do të zhvendosë një pjesë të prodhimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ristrukturime do të bëhen edhe brenda Gjermanisë, njoftoi koncerni. Modeli C i Mercedesit nga viti 2014 nuk do të prodhohet më në Sindelfingen të Gjermanisë.

Në këtë mënyrë prodhimi i Mercedesit të tipit C do të zhvendoset pjesërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Modelet për tregun evropian do të prodhohen vetëm në Bremen. Për shkak të humbjes së modelit C në Sindelfingen do të fillojë prodhimi i modelit luksoz të Mercedesit SL.

Deri tani ky model prodhohej në Bremen. Përveç kësaj Daimler paralajmëroi edhe masa të tjera për zhdëmtimin e qendrës së prodhimit në Sindelfingen, për të ruajtur në këtë mënyrë vendet e punës në këtë qendër.

Megjithë transferimin e montimit të modelit luksoz SL nga Bremeni në Sindelfingen, vendet e punës në uzinën e Bremenit do të sigurohen përmes zhvendosjes atje të prodhimit të modelit C për tregun evropian. Shefi i Daimlerit Dieter Zetsche sqaroi se "Gjermania është dhe mbetet zemra e sistemit tonë të prodhimit. Me riorganizimin e ri dhe fillimin e prodhimit të një modeli C në Shtetet e Bashkuara të Amerikës koncerni përcakton prioritetet në mënyrë që të jetë edhe në të ardhmen konkurrues në treg".


Në uzinën më të madhe të Daimlerit në afërsi të Stuttgartit, në Sindelfingen nuk do të ketë shkurtime të vendeve të punës, sqaroi Wilfried Porth nga Këshilli i Punëtorëve. Sipas të dhënave të tij në Sindelfingen punojnë aktualisht 20 mijë vetë, gati 4000 prej tyre në sektorin e prodhimit të modelit C.

Dëshpërimi i madh në radhët e të punësuarve në Sindelfingen .

Edhe pse punëtorët në Sindelfingen e kanë pritur një vendim të tillë nga ana e koncernit prapëseprapë dëshpërimi është i madh. Një prej punëtorëve shprehet: "Si punëtor mbetesh aty diku jashtë dhe pothuajse nuk je tjetër veçse një numër. Unë punoj që prej 31 vjetësh këtu dhe më duhet të them: a kanë njerëzit ende karakter apo kanë mbetur vetëm dollarët dhe milionat?".

Të punësuarit në Sindelfingen patën protestuar gjatë ditëve të kaluara për ruajtjen e rreth 5000 vendeve të punës. Helmut Roth nga Këshilli i Puntorëve të Daimler-it deklaroi pas marrjes së vendimit:

"Ne e konsiderojmë këtë vendim si të gabuar dhe fatal dhe ne jemi të bindur që modeli C duhej të prodhohej edhe më tej në Sindelfingen". Kryesia e Daimlerit nuk e kishte të lehtë marrjen e një vendimi të tillë. Por vendimi është marrë si pasojë e kursit gjithnjë në rënie të dollarit amerikan. Nga gjithsej 1,27 milionë makinat e shitura në vitin e fundit 440 mijë kanë qenë të modelit C prej tyre 80 mijë janë shitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje, në Tuscaloosa ku aktualisht prodhohen automjete fuoristradë dhe modeli R, ora e punës kushton aktualisht rreth 30 euro ndërkohë që në Gjermani është rreth 50 euro. Aktualisht Daimler prodhon rreth 80 përqind të automjeteve të tij në Evropën Perëndimore ndërkohë që këtu shet më pak se 60 përqind të tyre.