LAJMI I FUNDIT:

Turqia, rënia e GDP prej 14.3 për qind

Turqia, rënia e GDP prej 14.3 për qind

Turqia ka nisur të shohë dritë në fund të tunelit, pas 12 muajve që mbetën për t‘u harruar.Përgjatë vitit 2008, ekonomia turke shpërfaqi shenja të dobësie dhe rënie të vazhdueshme, derisa u mbërrit në të dhënat më të ulëta të tremujorit të parë të këtij viti, me një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP-ja) prej 14.3%, shifra më e lartë kjo e regjistruar në gjirin e vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe në ato të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik(OECD).

Ankara, 5 dhjetor – Të gjitha këto lloj problemesh zunë fill në tremujorin e fundit të vitit 2008, kur Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP-ja) ra në vlerat 6.5%, kryesisht për shkak të rënies së eksporteve (me 8.5%), por mbi të gjitha, për shkak të rënies historike të sektorit të investimeve, në 17.6%.

Kriza botërore dhe paqëndrueshmëria politike e së shkuarës, bënë të mundur që kërkesa nga jashtë të vinte në ulje, që kapitali i huaj privat të ngrinte projektet, duke e çuar prodhimin industrial në nivele të ulëta.

Kjo perspektive e zymtë e asokohshme, shkaktoi një klimë pesimizmi që ndikoi si në të dhënat ekonomike, ashtu dhe në uljen vjetore të konsumit privat, në 5.3%. Për pasojë, u shënua një rritje në vijimësi e papunësisë, që në fund të vitit 2008 arriti në 10.7% të popullsisë së aftë për punë, por që këtë vit pritet të ndalet në nivelet e 15%-shit, me një prirje të dukshme për t‘u mbajtur në këto nivele, në kohët në vazhdim.


Sidoqoftë, duke nisur nga korriku i këtij viti, gjërat nisën të shkonin për mbarë për Turqinë. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik(OECD) dhe Komisioni Europian ndajnë të njëjtin mendim se Turqia është një nga vendet më të mirë përgatitura për të përballuar krizën botërore dhe për të marrë veten, për të mundësuar një rritje ekonomike me afro 3.7% në vitin 2010, si dhe me 4.6% në vitin 2011, përkundrejt -6.5% të këtij viti.

Gjithçka e tillë, falë strategjisë së saj ‘kundër-recesion‘, në mbështetje të sektorit ekonomik, si dhe falë 1.300 milionë eurove të lëvruara nga pushteti ekzekutiv turk, me qëllim që të nxitej në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimtaria prodhuese dhe të shkurtoheshin taksat.