LAJMI I FUNDIT:

BE nuk ka të bëjë me eksesin e kapitalizmit financiar

BE nuk ka të bëjë me eksesin e kapitalizmit financiar

Presidenti francez, Sarkozi, ka përshëndetur emërimin e shefit të ri të Financave në BE, francezit Mishel Barnier dhe e konsideron atë si një kundërmasë për të frenuar eksesin e qendrës financiare të Londrës.

Paris, 4 dhjetor – Me anë të një deklarate të tillë, ai ka synuar që edhe njëherë të shfaqë mendimin e tij negativ në lidhje me mënyrën me të cilën po e trajton krizën ekonomike Britania e Madhe. Në një fjalim të mbajtur në jug të Francës, Sarkozi tha se caktimi i Barnier në postin e rëndësishëm ishte një fitore për modelin ekonomik europian.

Sarkozi fajësoi modelin anglosakson, që favorizohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe dhe i thuri lavde mendimit europian që, sipas tij, "nuk ka aspak të bëjë me ekseset e kapitalizmit financiar".

Por Alastair Darling, shefi i financave britanike, i bëri Barnier një paralajmërim të ashpër dhe të prerë në lidhje me ndërhyrjen e tij të mundshme në çështjet e ndryshimit të rregullave të funksionimit të financave londineze dhe britanike në përgjithësi, duke thënë shprehimisht se çdo lloj ndërhyrjeje e BE-së do të sillte konfuzion.


Në fjalën e tij, Sarkozi nuk ia doli që të fshihte kënaqësinë në lidhje me kontrollin që do t‘u bëhet tani bankave dhe financave britanike nga ish-ministri francez i Bujqësisë, që ka një rol të ri në BE. "A e imagjinoni dot se çfarë do të thotë për mua që të shoh për herë të parë në 50 vjet një komisioner europian francez që merr në dorë tregun e brendshëm të BE-së, shërbimet financiare, përfshi edhe atë të Londrës?

Dua që bota ta shohë fitoren e modelit europian, që nuk ka të bëjë me ekseset e kapitalizmit financiar", ka deklaruar ai. Roli i Barnier, si komisioneri europian për tregjet e brendshme, i jep atij pushtet në lidhje me reformën e rregullave financiare. Franca është një nga shtetet që ka këmbëngulur më shumë në lidhje me reduktimin e bonuseve dhe favoreve të tjera të bankierëve