LAJMI I FUNDIT:

Putin: SHBA-ja e pengon hyrjen e Rusisë në Organizatën Botërore Tregtare

Putin: SHBA-ja e pengon hyrjen e Rusisë në Organizatën Botërore Tregtare

Kryeministri rus Vladimir Putin në paraqitjen televizive para qytetarëve e akuzoi sot SBA-në, se e pengon hyrjen e Rusisë në Organizatën Botërore Tregtare (OBT). "Hyrja në OBT vazhdon të jetë qëllimi ynë strategjik, por kemi përshtypje se disa vende, mes të cilave SHBA-ja, e pengojnë hyrjen në organizatë, ndërsa ne nuk dimë se cilat janë motivet e tyre", deklaroi Putini.

Në qershor kryeministri rus shkaktoi konfuzione, duke publikuar se vendi së bashku me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, ka për qëllim të përfundojë projekt doganor, i cili i bashkon tri vendet dhe të paraqesin kandidaturë të përbashkët për anëtarësim në OBT.

Pastaj autoritetet ruse sqaruan se tri vendet më në fund mund të negociojnë veçmas për hyrjen në OBT.

Kritikat e Putinit pasuan pas komenteve të përfaqësuesit të përhershëm tregtar të SHBA-së, Ron Kirk se Uashingtoni e mbështetë anëtarësimin e Rusisë në OBT, por dëshiron t’i rregullojë çështjet kontestuese dypalëshe.


Rusia është ekonomia më e madhe jashtë OBT-së, në të cilën janë të anëtarësuar 153 vende. Organizata ndërmjetëson për rregullimin e kontesteve tregtare dhe për liberalizimin e shkëmbimit tregtar mes vendeve-anëtare.