LAJMI I FUNDIT:

Përurohet tregu multietnik

Përurohet tregu multietnik

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga nënkryetari Ismajl Smakiqi, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Rasim Veseli si dhe përfaqësues të kompanisë “Kastrioti” kanë përuruar të hënën tregun multietnik në këtë komunë.

Ky projekt që është financuar nga Komisioni Evropian, është paraparë të krijoj mundësi për tregtarët pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, që njëkohësisht të ndikonte edhe në relaksimin e raporteve ndëretnike.

Kryetari Rexhepi, tha se ky projekt është një mundësi e mirë që do të ndikoj pozitivisht në aspektin ekonomik në Mitrovicë. “Është një projekt, i cili do të krijoj mundësi të mira për bizneset, andaj si i tillë do të ndikoj pozitivisht edhe në zhvillim ekonomik”, tha ai.

Duke pasur parasysh se Tregu Multietnik është i vendosur në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, ai vlerësoi se ky aspekt do ndikoj edhe në relaksimin e raporteve ndëretnike. “Ne shpresojmë që ky treg të shfrytëzohet prej të gjithëve, meqë është një mundësi e mirë që ofron kushte të mira për të gjithë”.


Nënkryetari i komunës, Ismajl Smakiqi, sqaroi se hapësira ku është vendosur tregu është dhënë nga komuna me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e bizneseve. Ai tha se pas përfundimit të projektit, tash ai do t’i jepet në menaxhim Ndërmarrjes “Tregu”.

Ndërsa, Bedri Trepça nga kompania “Kastrioti”, tha se projekti që është financuar nga Komisioni Evropian ka kushtuar rreth 400 mijë euro. Ai sqaroi se hapësira e tij është 27 mijë metra katrorë.

Ai tha mandej se brenda kësaj hapësire ka pjesë të asfaltuara, mandej të shtruara me kube si dhe me zhavorr. Poashtu ai përmendi edhe kanalizimin, mandej rrjetin e hidrantëve që janë rregulluar etj.

Ndërsa sa i përket kyçjes në energji elektrike, ai tha se duhet që edhe komuna të ndikoj dhe të zgjidhet edhe kjo çështje, ashtu siç duhet të gjendet zgjidhje për kyçje në rrjetin e ujit industrial.

Ai sqaroi edhe për vonesën derisa është përfunduar ky projekt që ka filluar në vitin 2007. Tha se kanë dalur probleme meqë rruga në hyrje të tregut ishte pronë e hekurudhës, andaj gjërat ishin komplikuar derisa ishte gjetur zgjidhje./telegrafi/