LAJMI I FUNDIT:

Kosova si Teksasi i vjetër

Eksperti i ekonomisë Flamur Keqa ka thënë se dukuria e shpeshtë e plaçkitjes së bankave në Kosovë na përkujton kohën e kaubojve dhe perëndimit të egër në Teksas dhe kjo dukuri ngreh shqetësime të mëdha

Prishtinë, 23 nentor – Kosova është krahasuar me Teksasin e dikurshëm që bankat plaçkiteshin pa ndonjë problem. Plaçkitjet e fundit e bankave në Kosovë janë cilësuar si shqetësuese që mund të kenë ndikim negativ sa i përket depozituesve që tani kanë para në bankat që operojnë në Kosovë.

Eksperti i sistemit bankar në vend Flamur Keqa, vjedhjet e fundit të bankave në Kosovë i ka cilësuar me ato që ndodhnin në Teksasin e SHBA-ve, që është një përkujtim për kaubojt që plaçkitshin bankat atje.

“Padyshim që vjedhjet nëpër banka sikurse edhe çdo kund në botë mund të ndikojnë negativisht tek depozituesit bankar, dukuria e shpeshtë e plaçkitjes së bankave dhe institucioneve tjera financiare në Kosovë na përkujton kohën e kaubojve dhe perëndimit të egër në Teksas dhe kjo dukuri ngreh shqetësime të mëdha”, ka thënë ai për gazetën. Sipas Keqës megjithatë parat në banka duhet të jenë më të sigurta së sa mbajtja e tyre në shtëpi.


“Besoj që bankat janë të siguruara kundrejt plaçkitjeve, në këtë proces duhet të involvohet, policia edhe Banka Qendrore, si pjesë ë përgjegjësisë së saj”, ka thënë ai. Duke shtuar se me rëndësi është të krijohet mbrojtja dhe siguria e veprimit të institucioneve financiarë.

“Me rëndësi të veçantë është edhe mbrojtja e stafit të bankave të cilët mund të kërcënohen, prandaj tani paraqitet si nevojë imediate ndërmarrja e hapave adekuat dhe ngritja e sigurisë jo vetëm për banka por për të gjitha institucionet financiare që veprojnë në Kosovë”, ka përfunduar Keqa.

Ndërsa zyrtari i operacioneve në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Florim Maxharraj është shprehur se çështjes së sigurisë fizike të bankave komerciale BQK-ja i jep rendësi të lartë nga aspekti i rolit të saj si rregullator dhe mbikëqyrës i veprimtarisë bankare në Kosovë.

“Në fuqi është Rregulla bankare 27 mbi pajisjet dhe procedurave të sigurimit, që obligon bankat komerciale të nxjerrin dhe aplikojnë procedurat e duhura të sigurimit fizik për t’iu kundërvënë plaçkitjes dhe vjedhjes”, ka pohuar ai. Sipas tij zbatimi i kësaj rregulle bankare përcjellët në mënyrë të rreptë nga BQK-ja.

“BQK-ja bashkëpunon drejtpërdrejt me organet e rendit sa i përket aspekteve të veprimtarisë së bankave komerciale që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit”, është shprehur ai.

Maxharraj ka deklaruar se plaçkitjet e bankave ndikojnë negativisht edhe tek qytetaret e vendit. “Dëmet e shkaktuara nga këto ngjarje të bankat komerciale janë shumë të ulëta për të rrezikuar funksionimin e tyre të rregullt dhe qytetarët janë në dijeni, dhe nuk kemi luhatje të besimit ndaj sektorit bankar”, ka thënë ai për gazetën.

Këtë javë është plaçkitur Rafessen bankë, kurse më parë filialet e Pro Credit Bankës janë plaçkitur tri herë, ndërsa zyrat e Wester union dy herë, sikurse edhe një herë NLB-Prishtina.

Policia e Kosovës ka formuar një grup punues për sistemin e alarmit në banka. Grupi punues është duke shikuar specifikat teknike të sistemit alarmues që do të instalohet së shpejti nëpër bankat në Kosovë në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Të gjitha bankat kanë ndërmarrë një varg masave shtesë së sigurisë përfshirë këtu edhe sistemet day-pack (ngjyrosjes së parave që dalin pa autorizim nga bankat), masë kjo e treguar shumë efikase në parandalimin e sulmeve me qëllim grabitjeje. Policia e Kosovës ka përgatitur edhe një plan të veçantë policor që ndërlidhet me rastet e grabitjeve në banka e që përfshin një sërë aktivitetesh në aspektin e parandalimit të këtij lloji të kriminalitetit dhe veprime hetimore konkrete. Plani policor përfshin edhe angazhime shtesë të zyrtarëve policor në rroba civile dhe patrullave për një siguri më të madhe në institucione bankare dhe institucione tjera të ngjashme