LAJMI I FUNDIT:

Easy Jet, nga vera edhe në Kosovë

Easy Jet, nga vera edhe në Kosovë

Kompania Easy Jet, siç e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Altin Ahmeti, ka bërë kërkesë që të fillojë me dy fluturime në javë nga Gjeneva për në Prishtinë me mundësi që të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen.

Kompania ajrore angleze, Easy Jet, ka aplikuar për leje fluturimi në Kosovë. Kjo kompani, qysh nga qershori i vitit të ardhshëm, pritet t`u japë fund biletave të shtrenjta në vendin tonë, të cilat do të nisin nga 20 euro. Fluturimet e para janë nga Gjeneva, e më vonë nga krejt shtetet e Evropës

Tregu i fluturimeve në Kosovë do të hyjë në konkurrencë të fortë nëse Qeveria e Kosovës ia miraton kërkesën kompanisë angleze të fluturimeve, Easy Jet. Kjo kompani ka kërkuar që të fillojë me operime qysh nga 19 qershori i vitit të ardhshëm.

“Kjo kompani do të rrisë konkurrencën në treg, sidomos do të ndikojë në uljen e çmimeve, pasi që ofron shërbime të lira”, thekson Ahmeti. Ai tha se kjo do të zhvillojë një konkurrencë të fortë në tregun e aviacionit dhe beson që edhe biletat do të lirohen.


Në çdo vend ku operon Easy Jet, si strategji të saj ka aplikuar çmimet e lira karshi konkurrencës. Vetëm në nëntëmujorin e parë të këtij viti, kjo kompani ka realizuar të hyra prej 2.6 miliardë funta dhe u ka shërbyer 45.2 milionë pasagjerëve.

Biznesi i kësaj kompanie është i koncentruar kryesisht në oferta të larmishme si për turizëm, biznes dhe familje. Gjatë këtij viti, biletat e kompanisë Easy Jet nuk kanë qenë më të shtrenjta se 30 funta angleze. Fluturimi nga Londra për në Itali kushton vetëm 30 funta angleze, derisa për në Gjermani kushton 29 funta. Easy Jet aktualisht mban linja të rregullta fluturimi në më shumë se 100 qytete në 27 shtete të Evropës. Edhe në Kosovë, pritet të sjellë ofertë të ngjashme, fillimisht për kosovarët që udhëtojnë nga Zvicra për në Prishtinë dhe anasjelltas./gazetaexpress/