LAJMI I FUNDIT:

Abetarja mbarëkombëtare nga “Dukagjini” dhe “Pegi”

Abetarja mbarëkombëtare nga “Dukagjini” dhe “Pegi”

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë kanë përzgjedhur në Tiranë shtëpinë botuese me Kodin 1002 për botimin e Abetares së përbashkët “Shqipëri- Kosovë”, e cila pritet që të jetë e gatshme në fillim të vitit shkollor 2012/2013.

Raportohet se Abetarja fituese është paraqitur nga shtëpia botuese Pegi në Shqipëri dhe ajo Dukagjini e Kosovës. Autorët janë Shezai Rrokaj dhe Mimoza Gjokutaj, ndërsa nga pala kosovare janë Islam Krasniqi dhe Saranda Kumanova.

Zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Nehat Mustafa, dhe zëvendësministri i Arsimit të Shqipërisë, Halit Shamata, kanë marrë pjesë në përzgjedhjen e fituesit për Abetaren e përbashkët Kosovë- Shqipëri.


Në konkurrimin e shpallur nga të dy ministritë përkatëse morën pjesë 7 shtëpi botuese, sipas kushteve të miratuara në paketën informuese. Si kritere kanë qenë: autorët e tekstit të përbashkët duhet të jenë nga të dy vendet dhe botuesit të kenë prodhim të përbashkët.

Në vlerësimin e teksteve të paraqitura morën pjesë 10 vlerësues, nga të cilët 5 janë nga Kosova, 5 janë nga Shqipëria.

Periudha e ankimimit ndaj vendimit të Komisionit mësohet se është deri në datën 30 prill 2012. /Telegrafi/