LAJMI I FUNDIT:

Mourinho: Lojtarët e Realit nuk janë yje

Mourinho: Lojtarët e Realit nuk janë yje

Jose Mourinho pritet që pas 48 orësh edhe zyrtarisht të jetë trajner i ri i Real Madridit, ndërsa kjo duket të jetë çështje e sigurt sipas të përditshmes Marca, që shkruan se agjenti i Mourinhos ka shkëputur kontratën e portugezit me Interin dhe tani po bisedon me zyrtarët e Realit.

“Unë jam në gjendje ta fitoj Ligën e Kampionëve në çdo moment me Real Madridin. Dua të bëhem trajneri i parë që fiton tituj në tre kampionatet më të forta të botës. Cristiano Ronaldo është i pakënaqur te Reali, sepse ai nuk ka fituar tituj”, citohet të ketë thënë Mourinho.

Nga ana tjetër, në një intervistë për televizionin portugez TV1, Mourinho tha se agjenti i tij tashmë është takuar me zyrtarët e Realit, ndërsa marrëveshja është vetëm çështje orësh.

“Unë dua të takohem me njerëzit, në mënyrë që të di saktësisht çfarë duan ata nga unë dhe cilat janë kushtet, jo strukturat, sepse ato tashmë i njoh, por të heq çdo dyshim kur unë t’ia filloj punës”.


“Yje janë futbollistët e Interit, ata janë kampionët e Evropës. Mesazhi im për lojtarët e Realit është që nëse i drejtoj ata, ata nuk janë yje, as trajneri nuk është yll, por ylli është ekipi. Nëse ata të gjithë e pranojnë këtë sikur te Porto, Chelesea apo tek Interi, atëherë fitoret nuk do të mungojnë”, përfundoi Mourinho. /Telegrafi/