LAJMI I FUNDIT:

Cana paralajmëron Manchester United

Cana paralajmëron Manchester United

Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana thotë se ata janë të gatshëm ta befasojnë Manchester United gjatë këtij vikendi.

Djelmoshat e Sir Alex Ferguson do të zbresin në Stadiumin e Dritave sapo ndeshja në mes të Chelseat dhe Liverpoolit të përfundojë. Djajtë e Kuq janë vetëm një pikë prapa bluve në tabelë dhe kanë sfida më të lehta në krahasim me Chelsean, por Cana nuk mendon kështu.

“Ne duam të bëjmë punën për vete dhe për fansat tanë dhe do të ishte gabim të mendojmë se Chelsea është i vetmi ekip me ndeshje të vështirë këtë vikend. Rekordi ynë në shtëpi është fantastik dhe nuk shoh arsye se pse të mos kemi një ndikim të madh në atë se kush e fiton titullin. Nuk mendoj se dikush duhet ta nënçmojë atë çfarë jemi në gjendje të bëjmë ne”, ka thënë Cana.

“Nëse Manchester United dëshiron ta fitojë ligën, ata duhet të vijnë dhe të na mposhtin neve në Stadiumin e Dritave. Sigurisht ata kanë lojtarë dhe ekip për ta bërë atë, kjo është krejtësisht normale për një ekip të kreut të tabelës, por unë mund t’ju premtoj se nuk do të jetë e lehtë”, ka shtuar mesfushori kosovar. /Telegrafi/