LAJMI I FUNDIT:

Messi përmbys Arsenalin

Messi përmbys Arsenalin

Barcelona është gjysmëfinalisti i dytë i Ligës së Kampionëve pasi që ka arritur ta eliminojë Arsenalin me rezultat të përgjithshëm 6-3.

Ndeshja e parë e zhvilluar javë më parë në Emirates, përfundoi me rezultat të barabartë 2-2, kurse dueli i zhvilluar të martën mbrëma në Camp Nou u takoi Blaugranëve, të cilët fituan me rezultat 4-1.

Ndeshja filloi me një ritëm të ulët dhe dukej se të dyja skuadrat ishin mjaft të përqendruara që të mos pësojnë gol, ashtu që në fushë shfaqej një lojë e baraspeshuar dhe pa raste.


Mirëpo në minutën e 19-të gjërat ndryshuan. Një gabim të Gabi Militos, e shfrytëzuan lojtarët mysafirë, të cilët ndërtuan një kundërsulm të shpejtë me anë të Theo Walcott, i cili pasoi te Nicklas Bendtner, dhe ky i fundit pas tentimit të dytë e mposhti portierin Valdes.

Mirëpo, lojtari më i mirë në botë, Leo Messi, nuk e la të zgjaste ky gëzim i Topçinjve, pasi që shënoi një supergol, për të barazuar shifrat (21’).

Një aksion të filluar nga argjentinasi, e përfundoi vetë ai me golin e dytë personal në ndeshje duke ia dhënë epërsinë skuadrës vendase (37’).

‘El Messiah’ kompletoi het-trikun e tij në minutën e 42-të, kur pas një asistimi të Seydou Keitas, paraboloi portierin Almunia, dhe me rezultat 3-1 përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e hapur nga të dyja skuadrat, mirëpo mungonin rastet, pasi që loja zhvillohej kryesisht në mesfushë.

Megjithatë, atë që duhej ta bënte Arsenali, e bëri gjeniu i futbollit- Lionel Messi duke realizuar golin e katërt në këtë ndeshje (88’), për ta vulosur kualifikimin e Barcës në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale, Barcelona do ta ketë për kundërshtar Interin, që eliminoi CSKA Moskën. /Telegrafi/