LAJMI I FUNDIT:

Red Bull Stratos teston kostumin për hedhje nga stratosfera

Red Bull Stratos teston kostumin për hedhje nga stratosfera

Më 30 mars 2010, projekti Red Bull Stratos për here të parë zbuloi veshjen e prodhuar nga Kompania ‘David Clark’, të cilën do të mbajë Felix Baumgartner në hedhjen e tij nga stratosfera. Skuadra shkencore e Red Bull Stratos ka zbuluar gjithashtu edhe helmetën, e cila së bashku me veshjen do të shërbejnë si mjetet e vetme mbrojtëse për jetën e Felix Baumgartner, i cili do të hidhet nga stratosfera nga një lartësi prej 36.576 metrash.

Këto pajisje janë prodhuar nga Kompania “David Clark”, e cila është pioniere e prodhimit të pajisjeve mbrojtëse të ajrit që prej vitit 1941, duke përfshirë kostumin e Kolonelit të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Ret.), Joe Kittinger, në hedhjen e tij historike “Excelsior III” në 1960.

Austriaku 40-vjeçar do të thyejë shumë rekorde botërore që kanë qëndruar të pacenuara për më shumë se gjysmë shekulli kur të ndërmarrë projektin e fluturimit në stratosferë në një lartësi më shumë se 36,576 metra brenda një kapsule që do të ngrihet nga një balon me helium.


Joe Kittinger, i cili me kërcimin e tij me parashutë nga 31,333 metra mbi nivelin e detit, hapi derën për eksplorimin e hapësirës në kuadrin e projektit të tij “Excelsior” që u zhvillua në datën 16 Gusht 1960, do të jetë pjesë e ekipit të misionit Red Bull Stratos.

Përpjekja e Kittingerit që ka lënë gjurmë në historinë e aviacionit dhe që Baumgartner po përpiqet të tejkalojë, provoi që kostumet me presion të lartë mund të mbronin njerëzit në ambientin e ashpër të stratosferës dhe ishte një nga eksperimentet që ndikoi misionin drejt hënës në vitin 1969.

Data ekzakte e misionit Red Bull Stratos, i cili do të ketë pikënisjen në Amerikën e Veriut, do të vendoset menjëherë pas përfundimit të testimit të pajisjeve dhe pas matjes së faktorëve atmosferikë – kushte këto të domosdoshme për të mundësuar suksesin e kërcimit final të këtij misioni. /Telegrafi/