LAJMI I FUNDIT:

Reali fiton derbin kryeqytetas

Reali fiton derbin kryeqytetas

Real Madridi ka fituar derbin e kryeqytetit spanjoll kundër Atletico Madridit, me rezultat 3-2, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Santiago Bernabeu.

Pas dhjetë minutash lojë, Jose Antonio Reyes kaloi mysafirët në epërsi pas një pasimi të Kun Agueros.

Vendasit patën më shumë nga loja deri në mbylljen e 45 minutave të para, mirëpo nuk arritën të barazonin shifrat.

Në pjesën e dytë, Mbretërit shfaqën fuqinë e tyre duke realizuar tri herë për më pak se pesëmbëdhjetë minuta.


Xabi Alonso barazoi rezultatin (49’), ndërsa Alvaro Arbeloa shënoi për epërsinë e parë të Los Blancos (55’).

Golashënuesi më i mirë i Realit këtë edicion, Gonzalo Higuain, me golin e tij të 23-të në La Liga shënoi për rezultatin 3-1 (62’).

Në minutën e 68-të u akordua penallti në favor të Atleticos, ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Diego Forlan, i cili arriti që ta zbusë epërsinë e Merengues.

Pas kësaj fitore, Reali barazohet sërish me pikë me Barcelonën dhe merr primatin e La Ligas, falë golaverazhit më të mirë. /Telegrafi/