LAJMI I FUNDIT:

Kuzhe: Do të luajmë lojë të fortë

Kuzhe: Do të luajmë lojë të fortë

Të mërkurën mbrëma përfaqësuesja e Shqipërisë do të jetë mysafir i Suedisë në ndeshjen e fundit kualifikuese për të dyja skuadrat.

Derisa Suedia ka një shpresë të vogël për të siguruar ‘play-off’-in (nëse Portugalia nuk fiton ndaj Maltës), Shqipëria ka kohë që ka humbur mundësinë matematikore për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror 2010.

Megjithatë, trajneri i Përfaqësueses kuqezi, Josip Kuzhe, thotë se lojtarët shqiptarë do të dalin në fushë për të kënaqur tifozët kuqezi të pranishëm në stadiumin “Rasunda”.

“Sigurisht që është ndeshje e vështirë, sepse ata kanë nevojë për tri pikët, të cilat mund të jenë një shpresë e fundit për ta. Ne nuk shqetësohemi shumë për Suedinë, as për Portugalinë e as për Danimarkën. Do të luajmë një lojë të fortë, që të bëjmë diçka të mirë edhe për mbështetësit tanë. Shpresoj të vijnë shumë tifozë të na shohin. Prandaj duhet vetëm të arrijmë objektivin dhe qëllimin tonë”, citohet Kuzhe nga Top-Channel.