LAJMI I FUNDIT:

Jansa: Nuk do të ketë më shtyrje për Kosovën

Jansa: Nuk do të ketë më shtyrje për Kosovën

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, ka deklaruar të martën në Bruksel se, pas 10 dhjetorit, nuk do të ketë shtyrje të mëtejme të zgjidhjes së statusit të Kosovës– mirëpo ka shtuar se, "duhet shmangur destabilizimin e tërë rajonit".

Pas një bisede me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso, kryeministri i Sllovenisë – shtet i cili do ta marrë kryesimin e BE-së prej 1 janarit 2008 – ka thënë se duhet pritur raportin e OKB-së që do të prezantohet më 10 dhjetor – dhe ka shtuar se, sipas mendimit të tij,” kjo do të jetë shtyrja e fundit”.

"Nuk do të ketë shtyrje të mëtutjeshme", ka thënë Jansa, duke vlerësuar se, të gjitha palët e dëshirojnë një zgjidhje që nuk do ta rrezikonte stabilitetin e Ballkanit perëndimor, njofton agjencia Ansa.


"Kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Jo – për shtyrjet e mëtejme, mirëpo është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje afatgjate që do t’i kontribuonte stabilitetit. Kjo nuk është detyrë e lehtë, ndërsa BE-ja ka rolin kryesor në këtë proces”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Barroso ka përsëritur mbështetjen e Komisionit Evropian për procesin të udhëhequr nga Treshja dhe përpjekjeve të përfaqësuesit të tij, ambasadorit Ischinger.