LAJMI I FUNDIT:

Analistët komentojnë deklaratën e Hotit ndaj Abdixhikut

Analistët komentojnë deklaratën e Hotit ndaj Abdixhikut

Analistët politik, kanë komentuar deklaratën e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, i cili kërkoi udhëheqje të re për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas Imer Mushkolajt, reagimi i Hotit tregon problemet brenda partisë, të cilat, sipas tij, kanë nisur që në kohën e hartimit të listave zgjedhore.

“Pakënaqësitë mendoj se kanë lind shumë më herët, të paktën në kohën kur u bën listat zgjedhore, kur u hartuan ato Hoti u rendit i 13-ti, ndërkohë që të tjerë kanë mundur të jenë më pak meritor sesa ky me kontribut në LDK u renditën më përpara. Unë mendoj se problemi kryesor, ishte renditja e zonjës Kica – Xhelili në listën zgjedhore, edhe pakënaqësitë e zotit Hoti dhe të tjerëve kanë qenë për këtë arsye”, ka deklaruar ai.


Ai ka theksuar gjithashtu se pakënaqësitë nuk kanë qenë vetëm për listat, por edhe për mënyrën se si u zhvillua fushata zgjedhore.

“Zonjës Kica – Xhelili iu rezervua numri tre në listën e LDK-së, ndërkohë që të tjerët u vendosën pas saj. Zëra të pakënaqësisë brenda LDK-së ka pasur edhe me fushatën zgjedhore, me pretendimet se Abdixhiku se e ka personalizuar fushatën, që pak a shumë mendoj se kanë pasur të drejtë. Kemi parë një fushatë të personalizuar qysh prej sloganit të fushatës e tutje”, ka deklaruar tutje Mushkolaj.

Ndërkaq analisti Ylli Hoxha, ka thënë se Avdullah Hoti nuk ka të drejtë morale për ta kritikuar liderin e LDK-së, Lumir Abdixiku për rezultatin e zgjedhjeve ku LDK doli partia e tretë por me një rritje prej gjashtë për qind.

“Me u zgju njeri që e ka bërë humbjen më të madhe me dhënë kritikën më të madhe nuk ka kuptim’’.

‘’Hoti duhet me qenë i fundit që e kritikon Abdixhikun për rezultate, sepse rezultatet janë tejet të mira me gjendjen reale që e ka trashëguar ai lidershipi i ri LDK-në”, ka thënë Hoxha në Debat Plus.

Ai tutje ka thënë se LDK është faktor tejet i rëndësishëm pas rezultatit zgjedhor sepse është ‘njëfarë lloj kallauzi i krijimit të qeverisë’’.

Tutje Hoxha ka thënë se nuk ka qenë e rastësishme se LDK ishte target i sulmeve më të mëdha edhe gjatë fushatës.

‘’Ndoshta i vetmi subjekt i sulmit edhe pas fushatës’’, ka thënë ai.

Ndërkohë, sipas Visar Ymerit, lidershipi aktual ka sjellë një dinamikë të re dhe organizim më të mirë.

“Kjo rritje që e ka LDK-ja tash, duke pasur parasysh që ka qenë poshtë, për mua është rritje e tejet e suksesshme. Lidershipi i LDK-së ka qenë i suksesshëm elektoralisht”.

Megjithatë, ai ka theksuar se pakënaqësitë e brendshme në LDK janë shfaqur shpesh para publikut, duke shtuar se këto çështje duhej të diskutoheshin më parë brenda partisë.

“LDK-ja është shquar që pakënaqësitë e brendshme i ka komunikuar dhe diskutuar përmes syve të publikut. A është e mirë apo e keqe kjo, nuk mund ta gjykoj, por ka edhe anët pozitive, edhe negative. Vërejtjet për një proces zgjedhor apo zhvillimet e brendshme duhet t’u thuhen fillimisht organeve të partisë,” ka theksuar ai.

Ymeri gjithashtu ka vlerësuar rolin e Avdullah Hotit në parti, duke thënë se ai ka pasur një kontribut të rëndësishëm për LDK-në, sidomos gjatë periudhës sa ishte kryeministër.

“Ku unë pajtohem me Hotin, është se mendoj që ka pasur një kontribut jashtëzakonisht pozitiv për LDK-në veçanërisht për LDK-në në këtë legjislaturë që mendoj se ka pasur një vend të merituar. Ai është bërë kryeministër në një kohë pa kohë, këtë mendoj se e ka bërë për të mirën e partisë, ose Kosovës në atë kohë.  Ky e ka marrë një barrë përmbi vetës, edhe tash me u gjyku për atë, nuk është e drejtë”, ka deklaruar Ymeri.

Ndërkaq, humbësit e zgjedhjeve në demokracitë liberale sipas Sadri Ramabajës reflektojnë dhe tërhiqen nga drejtuesit e partive politike, mirëpo sipas tij kjo në Kosovë nuk ka ndodhur.

”Kjo për fat të keq në Kosovë nuk ka ndodhur ende dhe nuk është promovuar si proces i natyrshëm normal demokratik’’.

Ai ka thënë se nëse je parti në pushtet dhe në zgjedhjet tjera bien në votë, liderët do të duhej të epnin përgjegjësi.

‘’Dhe do të duheshin ta vetëkuptonin dorëheqjen’’, ka thënë ai duke aluduar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se në demokracitë e brishta si në Kosovë, ndoshta do tju shkonte mirë sistemi politik zviceran.

Liderët ‘’do të mësoheshin, do të maturoheshin dhe ta ndajnë pushtetin konform përqindjes së fituar në pushtet sepse në bazë të përqindjes secila do ta dinte se çfarë pozicionesh ka dhe cila drejton qeverinë, cila kuvendin cila ministrin e jashtme sidomos edhe ministrin e mbrojtjes’’, ka thënë ai në RTVDukagjini.

Në trend Lajme

Më shumë
Aksident i rëndë në Fushë-Prezë, katër të rinj digjen brenda makinës - dyshohet se u përplasën me një betoniere

Aksident i rëndë në Fushë-Prezë, katër të rinj digjen brenda makinës - dyshohet se u përplasën me një betoniere

Lajme
Vuçiqit i 'dhemb' aleanca Kosovë - Shqipëri - Kroaci, i ankohet sekretarit të NATO-s, Mark Rutte

Vuçiqit i 'dhemb' aleanca Kosovë - Shqipëri - Kroaci, i ankohet sekretarit të NATO-s, Mark Rutte

Lajme
Ministri kroat i përgjigjet kërcënimeve të Serbisë: Ka ikur koha kur pyetej Beogradi, Kosovën e kemi mike

Ministri kroat i përgjigjet kërcënimeve të Serbisë: Ka ikur koha kur pyetej Beogradi, Kosovën e kemi mike

Siguri
Identifikohen katër të rinjtë që humbën jetën në aksidentin në Fushë Pezë

Identifikohen katër të rinjtë që humbën jetën në aksidentin në Fushë Pezë

Lajme

"Jemi të interesuar ta udhëheqim qeverinë", Haziri: Asnjë bisedë me LVV-në, LDK ka takuar Krasniqin e Haradinajn

Politikë
Postimi i Hotit që nxiti reagime, çka po ndodh në LDK?

Postimi i Hotit që nxiti reagime, çka po ndodh në LDK?

Lajme
Kalo në kategori