Nga: Neil Armstrong / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
“Tërbimi me katër shkronja në poemën televizive” [Four Letter TV Poem Fury] ishte titulli reagues në faqen e parë të një gazete britanike, e cila dënonte “ortekun e sharjeve”. “Nga e keqja te [më e keqja] vargu” [From Bad to Verse] ishte titulli ironik i një tjetër artikulli, ku një anëtar konservator i Parlamentit pyeste nëse kjo poemë “shërben për ndonjë qëllim artistik”. Një grup deputetësh të zemëruar shkuan edhe më tej, duke kërkuar një debat në Dhomën e Ulët të Parlamentit.
Ky debat shpërtheu rreth poemës V të poetit anglez Tony Harrison – një vepër e frymëzuar nga varret e vandalizuara në qytetin e tij të lindjes, në Lids – e cila u botua fillimisht në janar të vitit 1985, por u bë e famshme kur u transmetua në televizionin kombëtar britanik dy vjet më vonë, në nëntor të vitit 1987.

Nuk ndodh shpesh që një poezi të bëhet temë e nxehtë diskutimi për publikun e gjerë. Hera e fundit që ndodhi kjo ishte katër vjet më parë, kur Amanda Gorman recitoi poezinë e saj Kodra që ngjisim [The Hill We Climb], në inaugurimin presidencial të Joe Bidenit, megjithëse po aq shumë u komentua mosha dhe veshja e saj sa edhe vetë vargjet. Para kësaj ishte Bluzi i funeralit [Funeral Blues] i WH Audenit, që u bë e famshme pas deklamimit në komedinë romantike të vitit 1994, Katër martesa dhe një varrim [Four Weddings and a Funeral].
Por, nëse është e pazakontë që një poezi të dalë nga bota e letërsisë dhe të bëhet një fenomen kulturor, është edhe më e vështirë që ajo të shkaktojë tituj të urryer gazetash, të nxisë politikanët të kërkojnë masa dhe të nxisë qytetarët të telefonojnë të indinjuar drejt kanaleve televizive.
Poema V lindi nga një vizitë e Harrisonit në Varrezat Holbek në Biston të Lidsit, në maj të vitit 1984. Këto varreza janë mbi një kodër – nën të cilën ka galeri të braktisura minierash – dhe ofrojnë pamje nga stadiumi (“Elland Road” i Leeds United), ashtu edhe nga Universiteti i Lidsit, ku Harrisoni, si poet dhe dramaturg, kishte studiuar klasikët dhe gjuhësinë. Kur shkoi të kujdesej për varret e prindërve të tij, ai e gjeti varrezën të mbushur me kanaçe birre dhe gurë varresh të ndotur me grafita me sprej – fjalë fyese me katër shkronja, sharje raciste, svastika dhe një sërë shkronjash “V”. Disa nga mbishkrimet sugjeronin se vandalizmi ishte vepër e tifozëve të futbollit.
Në atë kohë, papunësia po rritej në nivele alarmante dhe do të arrinte në 11.9 për qind më vonë atë vit – një nivel që nuk ishte parë në Britani që nga viti 1971 dhe që nuk është parë më që nga ajo kohë. Një vit më parë, një dramë e suksesshme e BBC-së (The Boys from the Blackstuff) që përshkruante jetën e punëtorëve të papunë të shtrimit të asfaltit në Liverpul, kishte zbërthyer disponimin e kohës dhe kishte një ndikim të madh. Greva e minatorëve kishte filluar vetëm disa javë më parë. Në atë periudhë, vendi ishte thellësisht i ndarë nën një qeveri polarizuese konservatore të drejtuar nga Margaret Thatcher. Në vandalizmin dhe mbishkrimet me sprej, Harrisoni pa një tjetër shenjë të ndarjeve sociale që po thelloheshin dhe kjo i dha idenë për poemën e tij.
Në atë kohë, Harrisoni ishte poet, dramaturg dhe përkthyes i njohur dhe i respektuar. Ai kishte botuar disa vëllime me poezi dhe kishte qenë dramaturg rezident i Teatrit Kombëtar. Përkthimi i tij i vitit 1973 i dramës Mizantropi [Le Misanthrope] të Molierit [Molière] ishte pritur me lëvdata të mëdha.
Më 24 janar 1985, V u botua në London Review of Books.
Poema përbëhet nga 112 strofa me katër vargje ose katrena, me një skemë rimimi ABAB, e njëjta formë që përdori Thomas Gray në poezinë e tij të famshme të shekullit XVIII, Elegji e shkruar në një varrezë fshati [Elegy Written in a Country Churchyard] të cilën Harrisoni synonte ta evokonte në kontrast me punimin e tij.
Titulli “V” është për “versus” [kundër] – që është gjithashtu një lojë fjalësh me “verses” [vargje] – por, mund të nënkuptojë edhe “victory” [fitore] dhe, ndoshta, i referohet gjithashtu gjestit me dy gishta që bëjnë “V”-në e që konsiderohet simbol i pahijshëm në kulturën britanike.
Një strofë e poezisë thotë:
Këto V janë të gjitha v.-të e jetës
nga Lids v. Derbitt, Zi/Bardhë
dhe (siç e kam mësuar duke paguar çmimin) burrë v. grua,
Komunist v. Fashist, e Majta v. e Djathta.
Poezia imagjinon poetin duke zhvilluar një dialog me personin që ka vandalizuar varret dhe përfshin sharjet dhe fyerjet raciste të përdorura në grafite.
“Nuk na duhej Harrisoni për të na treguar atëherë që Britania ishte e ndarë, dhe nuk na duhet as tani, por V ishte shprehje e fuqishme e këtyre ndasive dhe disa prej shkaqeve të tyre”, thotë Sandie Byrne, profesoreshë e gjuhës angleze në Universitetin e Oksfordit. “Tifozi i futbollit, i cili, duke kaluar përmes varrezave shfryn zemërimin e vet mbi gurët e varreve, trajtohet me dhembshuri, megjithëse me një gjuhë po aq agresive sa ajo që ai vetë përdori. Figura e Harrisonit e kupton zhgënjimin e brezit të tretë të të papunëve, mes gurëve të varreve që shënojnë profesionet e një jete të tërë”.

“Fuqia dhe qëndrueshmëria e poemës vjen nga energjia e saj, vrulli i vargjeve dhe gjuha, zemërimi dhe përdorimi i elementeve personale në shërbim të politikës”.
Kur V u botua për herë të parë në London Review of Books, nuk shkaktoi ndonjë polemikë. Më pas, në nëntor të vitit 1985, u publikua në formë libri nga Bloodaxe Books, por as Parlamenti dhe as gazetat britanike nuk u shqetësuan. Neil Astley, themelues i Bloodaxe Books dhe ende redaktor e drejtor menaxhues i shtëpisë botuese, kujton se, pak kohë pas botimit të librit, Harrisoni e recitoi të gjithë poemën gjatë një emisioni të artit, gjatë natës së vonë në televizionin Tyne Tees, që i drejtohej posaçërisht audiencës në Verilindjen e Anglisë, dhe “ajo u transmetua pa shkaktuar asnjë kundërshtim, të paktën sa di unë”.
Por, më pas, në vitin 1987, u bë e ditur se ishte realizuar një version televiziv i poemës për transmetuesin kombëtar Channel 4, me regji nga regjisori i njohur i teatrit, Richard Eyre, dhe me Harrisonin që deklamonte poemën, ndërthurur me pamje të minatorëve në grevë, të Varrezave të Holbekut dhe Margaret Thatcherin duke bërë shenjën e “fitores” [victory]. Në atë moment, shpërtheu një furtunë e vërtetë.
Në tetor, disa javë para transmetimit, Daily Mail raportoi në faqen e parë mbi “Tërbimin … “. Aktivistja dhe kampionia kundër fjalorit të ndyrë, Mary Whitehouse, e quajti poemën “një vepër jashtëzakonisht të neveritshme”. Deputeti konservator, Sir Gerald Howarth, i cili më herët atë vit kishte propozuar një ligj që do ta cilësonte krim transmetimin e materialeve që mund të shkaktonin “fyerje të rëndë” për një “person të arsyeshëm”, ishte një tjetër kundërshtar i fortë i transmetimit. Ai kërkoi zyrtarisht një debat në Dhomën e Ultë të Parlamentit, për ta ndaluar. 121 deputetë nënshkruan këtë propozim. Howarth më vonë pranoi se nuk e kishte lexuar poemën në tërësi. Harrisoni kujtoi në dokumentarin e BBC Radio 4 të vitit 2013, Hulumtimi i V-së [Exploring V], se në kulmin e polemikave, një gazetar nga The Telegraph trokiti në derën e tij. “E pyeta, ‘E ke lexuar poemën”? – tregoi ai. “Ai më tha, ‘Jo. Jam gazetar i ri’”.
Kundërshtimet ndaj transmetimit erdhën kryesisht nga komentatorët e djathtë, por jo të gjithë e panë poemën si çështje problematike. Auberon Waugh, kolumnist i Sunday Telegraph dhe redaktor i Literary Review – i cili kurrë nuk ishte ngatërruar me të majtët – e cilësoi poemën “të shkruar mirë dhe jashtëzakonisht prekëse”, siç shkroi në atë kohë The Telegraph. Ian Hislop, redaktori i revistës satirike Private Eye, e mbrojti poemën në The Listener, ndërsa Bernard Levin në The Times e quajti “të fuqishme, të thellë dhe të paharrueshme”. The Independent madje e botoi të gjithë poemën në faqet e lajmeve, me një hyrje nga Blake Morrison, i cili shkroi: “Ata deputetë kanë të drejtë të besojnë se poema është tronditëse, por jo për shkak të gjuhës së saj. Ajo trondit sepse përshkruan pa dorashka kuptimin e një shoqërie të ndarë, sepse merret me abstraksionet me të cilat jemi mësuar të jetojmë – papunësia, tensionet racore, pabarazia, privimi – dhe ia jep një ekzistencë fizike në letër”.
Filmi u transmetua në orën 23:00, më 4 nëntor 1987, në Channel 4. Sipas regjistrimeve të stafit të Channel 4, të riprodhuara më vonë në botimin e dytë të poemës nga Bloodaxe, pati disa telefonata nga shikues të zemëruar për “gjuhën e neveritshme”. Por, pati edhe reagime pozitive: Një shikues nga Uotfordi, z. K, sugjeroi se “politikanët duhet të përqendrojnë energjinë e tyre në problemet sociale që trajton poema”. Një shikues nga Londra, z. W, tha: “Jam aq i prekur, saqë lotët më rrjedhin faqeve”. Në tërësi, shumica e telefonatave ishin në mbështetje të transmetimit.

“Ironia është se, ndërsa Bloodaxe kishte shitur vetëm disa mijëra kopje të poemës para vitit 1987, sulmet ndaj filmit të Channel 4 e çuan V-në te miliona njerëz që përndryshe nuk do të kishin dëgjuar kurrë për të”, thotë Neil Astley për BBC. “Dhe, nëse e lexon poemën sot, ajo ndihet po aq jetike dhe e rëndësishme sa 40 vjet më parë”.
Sandie Byrne kujton: “Miqtë e mi lexonin për poemën në gazeta dhe mendonin se ishte thjesht një vepër vulgare e mbushur me sharje, nga një poet që kërkonte vëmendje. Të tjerë dëgjonin se përmendte [liderin e minatorëve] Arthur Scargillin dhe shfaqte skena nga greva e minatorëve, dhe supozonin se kjo ishte gjithçka që trajtonte. Edhe tek ata që e lexuan realisht poemën, ajo duket se risolli debatet mbi përshtatshmërinë e gjuhës poetike – një temë që mendohej se kishte vdekur prej kohësh”.
“Ajo që ishte e papritur dhe ndoshta tronditëse te V-ja”, thotë Byrne për BBC, “nuk ishte aq dialogu që përfaqësonte një tifoz të ri futbolli duke sharë – çfarë befasie – por, më shumë përdorimi i katrenave me pentametër jambik, në një kohë kur vargjet me një ritëm të rregullt dhe të strukturuar konsideroheshin të vjetruara, një mjet i papërshtatshëm për brengat moderne. Zhvendosja e elegjisë së Grayt nga një varrezë e vogël fshatare në një varrezë të madhe urbane, përdorimi i elipsave, zhargoneve, të folurës së zakonshme dhe shqiptimit verior ndoshta sugjeronte se poezia nuk ishte relike e vjetër përgjumur dhe e pluhurosur apo e detyruar të shprehej në një gjuhë të të rafinuar dhe të sofistikuar të Jugut”.
Në vitin 2013, poema u transmetua edhe një herë në tërësi në Radio 4. Megjithëse shtypi priste një debat të madh, në të vërtetë pati pak polemika. Ndoshta dëgjuesit ishin më të mësuar me përdorimin e sharjeve në mediat e ndryshme. Nga ana tjetër, epitetet raciste do të ishin konsideruar edhe më fyese më 2013 sesa kur filmi i Channel 4 u transmetua për herë të parë. Dokumentari 30-minutësh i Radio 4, i cili u transmetua përpara leximit të poemës dhe shpjegoi kontekstin e përdorimit të sharjeve dhe fyerjeve në vepër, ndihmoi dëgjuesit të kuptonin rolin e tyre në poemë.
Si poeti ashtu edhe poema tashmë janë pjesë e pranuar e kanonit letrar. Fondacioni Poetik [Poetry Foundation], një organizatë me reputacion në ShBA e krijuar për të promovuar poezinë, e përshkruan Harrisonin si “poet-dramaturgun më të rëndësishëm të Britanisë”, dhe e cilëson V-në si “poemën e tij më të famshme”. Por, edhe pse aftësia e V-së për të shkaktuar tronditje mund të jetë zbehur disi, ajo nuk ka humbur asnjë grimë nga fuqia e saj për të nxitur dhe prekur lexuesin. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Në betejën ku u vra Ibe Palikuqi, asnjë gjerman nuk duket!

Viti 1932: Fundi tragjik i qëndistares së flamurit të Pavarësisë

Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Tahsin Jonuzi si histori e vyer e arkeologjisë shqiptare …

Papa në geto - fragment nga autobiografia e Françeskut

Viti 1950: Tradhtia e madhe

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

E kundërta nga ajo që thuhet prej Real Madridit, mediumi spanjoll shfaq 19 "gabimet" nga të cilat përfituan Los Blancos

Deklarata skandaloze e gjyqtarit të VAR-it që nxiti reagimin brutal të Realit para finales

Navas 'poshtëron' Laportan, refuzoi Barcelonën dhe i dërgon një mesazh Florentino Perezit

Ngritet çmimi i bukës në Gjakovë – qytetarët të shqetësuar për koston e jetesës

Misteri i vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, thellohen hetimet

Aeroplanë luftarakë, njësi snajperësh dhe jo vetëm – zbulohen detaje të ‘operacionit të madh të sigurisë’ për funeralin e Papa Françeskut