LAJMI I FUNDIT:

Tahsin Jonuzi si histori e vyer e arkeologjisë shqiptare …

Tahsin Jonuzi si histori e vyer  e arkeologjisë shqiptare …
Tahsin Jonuzi

Nga: Bardhosh Gaçe

Emri i arkeologut Tahsin Jonuzi, dhe pa mësuar më shumë se kaq të ngjall emocione, një lloj kërshërie të ngutshme për ta njohur akoma më shumë, një ndjesi, e cila të njofton se po i afrohesh një njeriu të çuditshëm, i cili i ka mbijetuar kohës për shkak të një paprekshmërie të personalitetit të tij pavarësisht kohërave. Si shumë të tjerë, kam kërkuar të kem njohje të thellë për Tahsin Jonuzin, i cili dhe në ditët e sotme drejt nesh nuk vjen si shumë të tjerë, por vjen si një libër i shtrenjtë që peshon shumë sa më shumë që ta shfletosh dhe sa më shumë ta lexosh. Ai ishte produkti i një kohe të vështirë, por mjaft të rëndësishme të vendit dhe të Europës, por pikërisht për shkakun e kësaj kohe, puna e tij dhe personazhi i tij bëhet më i rëndësishëm, më i shndritshëm dhe më reflektar.

Tahsin Jonuzi lindi dhe jetoi në Vlorë. Pas studimeve të larta  në Universitetin “Leopoldina Fransiscea” të Insbruck-ut u diplomua në Fakultetin e Filozofisë “Shkëlqyer” 1932. Po në këtë universitet, në vitin 1937, pasi dha provimet  pasuniversitare në “Dituni e Historisë dhe Albanologjisë”, mbrojti gradën “Doktor i shkencave në Filozofi”. Ai punoi si mësues  dhe më pas drejtor i Institutit Tregtar të Ujit të Ftohtë, si dhe drejtor i gërmimeve arkeologjike të Apolonisë. Së bashku me arkeologun e mirënjohur italian Piro Marcone të Velçës, Amanties, Kaninës, Himarës e Butrintit, të cilat përbëjnë një arkiv të pasur të botës ilirike. Internimi i tij në kampin e përqendrimit nazist në Mat’hauzen gusht 1944, si antifashist krijoi një dhimbje të thellë te banorët e Vlorës edhe familja e tij. E shoqja, Lake Jonuzi, në Arkivin Qendror të Shtetit, ka një letër proteste kundër nazistëve gjermanë, ku shpreh revoltën e saj të thellë për martirizimin e tij në kampet naziste.

Ai ishte njëri nga njerëzit e shquar të dijes shqiptare, i cili në plejadën e nxënësve dhe studentëve që studiuan dhe u diplomuan jashtë vendit, si një pjesë e vogël e tyre, Tahsin Jonuzi la shenjën e vet, e përthithi dijen, kulturën dhe shqetësimin e kohës, të cilat i ktheu në punë, por me një vullnet të fortë, falë dhe inteligjencës së tij iu imponua asaj. Por, ndryshe pjesës më të madhe të brezit të tij, Jonuzi e tejkaloi vetveten, tejkaloi profesionin për të prekur realitetin social, atë kulturor, historik dhe filozofik të kohës. Ai profesionin e tij e shndërroi në një “medium” komunikimi, por dhe burimi shkrimor – shkencor dhe evidentues, pasi askush si dhe sa ai nga dijetarët e kohës nuk e shfrytëzoi në plotësinë e saj kohën, aftësitë, profesionin dhe talentin për ta vënë në shërbimin e vendit. Kjo e bën profilin dhe jetëshkrimin e tij specifik, ai guxoi gjatë gjithë kohës kur iu dha mundësia për të kontribuar.

Paraprakisht, nuk mund të sillja mendime për librin e Tahsin Jonuzit, i titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra”, i cili vjen si një dhuratë dhe një zbulesë e befasishme në kontributet shkrimore të arkeologjisë dhe kulturës shqiptare, por edhe të trajtimit shkencor mjaft joshës prej autorit. Mendoj se është një gjetje e mrekullueshme dhe mjaft domethënëse dalja në dritë e këtij punimi, i cili në vetvete është një punim shkencor, mirëfilli me një akribi të qartë të dijeve më të mira të kohës, realisht të qëndrueshme dhe në ditët tona.

Ardhja e këtij botimi special dhe mjaft simbolik, të qëmtuar mirë nga grupi botues për lexuesin shqiptar, na tregon më së miri profilin e  një njeriu të dijes gjatë kohës, një punim kompleks, prej të cilit ka një përfitim kultura, shkenca dhe fusha specifike të dijes. Është një botim në të cilin plekset jo vetëm koha, por edhe historia për shkakun e një këndvështrimi dhe një qasjeje racionale, që doktori i shkencave të kohës, Tasin Jonuzi i ka paraqitur trupës akademike dhe dijes së kohës.

Libri në fjalë titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra” na njofton një personalitet të dijes, një njeri me një hapësirë të jashtëzakonshme të komunikimit shumëplanësh, me një formim sipëror të dijes kulturore, shkencore dhe historike të lashtë, që zë që nga autorët e hershëm antikë deri në dijet bashkëkohore të nxëna në rrugë të ndryshme prej tij.

Tahsin Jonuzi ishte arkeolog, një nga intelektualët e mrekullueshëm të kohës, i cili përveçse ishte i lidhur fort me pasionin dhe nevojën e shkollimit të tij brenda dhe jashtë vendit, një shkollim mbi didaktikën dhe profilin e qartë perëndimor, siç ishin studimet universitare në Vjenë e gjetkë, ai ishte edhe një atdhetar apo një shqiptar i shquar, modeli i djaloshit shqiptar, i lidhur fort me fatin e atdheut, i shquar si njeri i lirisë dhe krenarisë kombëtare. Fatkeqësisht, ai qe edhe njëri nga të rinjtë shqiptarë, i cili në kulmin e punës së tij si njeri i dijes dhe një shkencëtar me një të ardhme të sigurt, u sakrifikua dhe u martirizua në kampet naziste siç ishte ai i Mat’hauzenit.

Tahsin Jonuzi i përkiste plejadës së universitarëve të Shqipërisë, të cilët u investuan gjatë kësaj kohe për të krijuar shtresën e të shkolluarve në Perëndim, të cilët do t’i viheshin vendit në shërbimin e tyre të zhvillimit dhe të drejtimit bashkëkohor. Ky brez i mrekullueshëm, pjesë e të cilëve pas Luftës së Dytë Botërore krijuan edhe bazën e fortë të studimeve dhe institucioneve shkencore të vendit, ishte nga disa fusha të dijes, gjithsesi strategjike të zhvillimit, në të cilët u shfaq një formim kompleks dhe mjaft i domosdoshëm, fakt të cilin e gjejmë të mishëruar fort dhe te Tahsin Jonuzi, duke lënë një trashëgimì të rëndësishme dhe për brezat që valorizojnë dhe në ditët e sotme.

Dhe pse vonë, prof. dr. Aleks Buda, një personalitet i rëndësishëm i dijes historike shqiptare, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, pati kërkuar të njihej me fatin e familjes së Tahsin Jonuzit, dhe për shkakun e konsekuencave që familja e Jonuzit kishte pasur gjatë kësaj kohe, si një familje me një trashëgimì pasurie dhe pronash, të cilët sistemi totalitar i kishte në sy jo të mirë. Aleks Buda nuk mund të mos kujtonte dhe të mos kishte ndjesinë e një njeriu të ditur për bashkëstudentin Tahsin Jonuzi në studimet universitare dhe dr. e shkencave, i cili kishte doktoruar dhe kishte mbrojtur me notën shkëlqyer një punim të vështirë, një zbulesë të rëndësishme, e cila shpluhuroste historinë e hershme shqiptare në mënyrën më të mirë komplekse, ku kryqëzoheshin bashkë historia, topografia, arkeologjia, gjeografia, kultura, malet, lumenjtë, demografia, fiset, luftërat, baticat dhe zbaticat pushtuese.

Siç dhe kuptohet sot, me ardhjen e këtij botimi të mrekullueshëm, ku mund të kuptohet mjaft mirë dhe profili i një shkencëtari të mrekullueshëm të kohës, Tahsin Jonuzi la një trashëgimì të vyer familjare. I biri i tij, Nestor Jonuzi (Piktor i Popullit), nuk reshti së renduri në gjurmët e babait të tij, dhe pas shumë orvatjesh, arriti që nga Universiteti i Innsbrukut të sjellë kopjen e disertacionit shkencor të Tahsin Jonuzit, me të cilin ai ka mbrojtur gradën “Doktor i Shkencave”.

Në këto rrethana dhe raste fatlume, ne do të duhet t’i jemi mirënjohës mbesës së Tahsin Jonuzit, Aulona Jonuzi, e cila pati një angazhim maksimal për të përgatitur botimin e këtij libri, ashtu siç  falënderimi ynë nuk mund t’i mungojë dhe prof.dr. Përparim Kabos, i cili i paraprin dhe kodifikon në një tablo të gjerësishme në vlerat dhe si duhet kuptuar dhe lexuar libri titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra”, i cili njëherësh është shkencë, dije dhe kulturë. Në informacionin që zakonisht nuk mund të mungojnë për raste, figura dhe libra të tillë, nuk mund t’i mungojë falënderimi ynë as dhe për Lake Jonuzin, e cila ka ruajtur dhe është përkujdesur për t’i sjellë deri në ditët tona fotografitë, dokumentet dhe dorëshkrime të shumta, për të cilat u kujdes deri në fundin e jetës.

Libri i titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra”, është ndërtuar mbi një platformë hulumtuese, evidentuese dhe një zbulesë të larmishme, madje të gjerësishme. Duke kërkuar dhe përmbushur në këtë hulumtim një referencë të gjerësishme në hapësirë dhe në thellësi, shkencëtari Tahsin Jonuzi, i ka bërë dijes sonë të sotme një shërbim të vyer, pasi referimet e gjerësishme të kapitujve (për kushtet e opinionit tonë flitet për një libër B.G) si “Vendndodhjet”, “Lumenjtë”, “Vendkalim lumi”, “Liqenet”, “Krahinat”, “Fiset”, “Malet, ishujt dhe fushat” dhe së fundi “’Rruga Egnatia’ dhe itinerare të tjera rrugësh”, krijojnë një denduri informacioni, dijesh historike dhe bashkëkohore, interpretim e tij shkencor, që e bën të dhimbshëm kodin e vdekjes së tij “Verstorben:15. 12. 1944…Todesort: Gusen/ Mathhausen”.

Në këtë rast, nuk mund të rri pa cituar dhe një opinion të shkurtër, të znj. Frida Vokopola Gjoka dhe Albert Gjoka, të cilët mundësuan përkthimin profesional të librit, ndër të cilët ato shënojnë përpunimin e dr. Tahsin Janusit, si “Një studiues shqiptar që me disertacionin, me hulumtimet e tij të kryera në vend dhe me një bibliografi jashtëzakonisht të pasur, jep një kontribut të madh në shkencën e albanologjisë”.

Në të gjithë plotësinë e vet, një disertacion i referuar dhe mbrojtur në një nga qendrat më të mëdha universitare të kohës (Austri), me rreth 70 autorë të referuar dhe me mbi 1145 referenca përbëjnë një bazë solide dhe të gjerësishme për të hulumtuar dhe shumë studiues të tjerë, veçmas në fushën e studimeve dhe hulumtimeve albanologjike, këtë fushë të rëndësishme të dijes shqiptare, qoftë në aspektin historik, antropologjik, etnologjik, linguistik, por dhe shumë disiplina të tjera që pleks brenda vetes albanologjia. Nuk mund të rri pa cituar prof. dr. Përparim Kabon, i cili përmes një substrati komunikues, se “Historia vazhdon për ata që nuk kanë frikë nga drita e arsyes…, të tjerët mbeten pengje të harresës në histori…!”, duke kumtuar mrekullisht kohezionin dhe nevojën për ta njohur si njeri të dijes, si një albanolog, por dhe si një kontribuues të identitetit tonë kombëtar Tahsin Jonuzin. Libri që i vjen lexuesit shqiptar, i përkthyer nga gjuha gjermane është disertacioni shkencor për gradën “Doktor i Shkencave”, i referuar në vitin 1937, që plotësohet në diturinë e Historisë dhe të Arkeologjisë”, por me një marrëdhënie të jashtëzakonshme me shumë dije të tjera.

Libri i titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra”, i botuar vite vonë gjalljes së Tahsin Janusit është kompleks, ndërsa leximi i tij është paksa i kualifikuar, pasi në gjithë vertikalitetin e punimit ka një referim të gjerësishmë dijesh të tjera, të cilat i dalin në përdorje autorit. Tahsin Janusi ka njohur mjaft mirë filozofinë dhe perimetrin e saj në dijet dhe në interpretimet që zakonisht referojnë gjeografia dhe toponomastika. Hapësirat dhe vendbanimet (fshatra, qytete, krahina, shtete etj), i lidhin rrugët nëpër të cilat lëviz dhe zhvendosen kohët, dijet, kulturat, aleancat dhe konfliktet, nëpër të cilat lëviz zhvillimi, thelbi i studimeve dhe aksiomave të filozofisë. Rrugët lidhin kulturat dhe civilizimet.

Duke depërtuar përmes njohjes, studimeve dhe hulumtimeve në autorët e vjetër, kronikat e luftërave dhe të lëvizjeve, shkencëtari Tahsin Jonuzi sjell në vëmendje dhe regjistron në një punim shkencor, i cili mbrohet në një nga vendet më të zhvilluara të kohës, emra të vjetër të toponomastikës së atdheut të tij, d.m.th të Shqipërisë. Kjo ka mjaft rëndësi për studimet albanologjike dhe konvencionet historiografike shqiptare.

Një trajtesë mjaft e rëndësishme dhe e qëmtuar me një qëllim strategjik nga shkencëtari Jonuzi është pjesa ku flitet për rrugët. Në historinë e gjurmimeve historike- shkencore të dijeve të përbotshme, hulumtimet dhe referimet që sjellin rrugët, janë më të rëndësishmet dhe më të begata, pasi përmes tyre vjen një burim i pashtershëm informacioni për lëvizjet e popujve, kulturave, ushtrive, pushtimeve, rrugët tregtare, tendencat e zhvillimit etj. Në këtë studim ka një binomëzim të rëndësishëm rrugë- histori, një shpërfaqje e historisë përmes emrave, pozitave gjeografike, një mundësi të dhënash mbi gjenezën, me anë të të cilave arrihet të krijohet një hapësirë lokale, rajonale dhe globale. Koha ka vërtetuar se atdheu i Tahsin Jonuzit mbeti në historinë e mendimit dhe të besimit si “Vija e Toedosit”, një nga zhvillimet historike, e cila krijoi një përplasje, por dhe një qasje tjetër të re (1054) të mendimit dhe të zhvillimit. Në këtë rast, mendimi i konsoliduar i dijes dhe përvojës se “rrugët të çojnë tek rrugët e historisë” është i përmbushur më së miri.

Studiuesi dhe dr. i shkencës Tahsin Jonuzi kishte një bazament të fortë formimi dhe studimi, interpretimi dhe përfytyrimi në punën e tij shkencore. Shkencëtari parashikon duke u mbështetur në argumentet dhe në shqisën që ai ka për të depërtuar në zonat e errëta të fushës hulumtuese. Në historinë e njerëzimit, të cilën dija historike e ka reflektuar në enciklopedi dhe kontribute të shumta shkencore, lumenjtë përbërë një shqisë të rëndësishme për të hulumtuar dhe për të shkuar në thellësitë e kohërave.

Tahsin Jonuzi shpërfaq një çështje të rëndësishme në punimin e tij mbi lumenjtë, të cilët janë parë në një konceptim të gjerësishëm, që nga emërtimet (nga gjeneza deri në gjendjen që i ka gjetur autori, evoluimi i emërtimit), jeta që është evidentuar anës së tyre dhe burimet jetike që ato kanë sjellë për popullsinë, raportet që popullsia ka krijuar me të, vendbanimet, nga njësi të vogla deri në qytete pranë lumenjve, që gjithësisht përbëjnë një “deltë” të rëndësishme komunikimi dhe të dhënash për historinë, kulturën, albanologjinë dhe vend – ngulmimet. Pikërisht këto gjurmë pashmangshmërisht çojnë në hulumtimet dhe dëshmi të tjera të mënyrës dhe nivelit të organizmit shoqëror apo të institucioneve që u krijuan nëpër kohë të ndryshme. Në një marrëdhënie dhe informim të tillë të çojnë dhe të dhënat që sjell studimi mbi liqenet, pra burimet ujore, që shkojnë në kohët e lashta ilirike për të ardhur deri në shqetësimin shkencor të dr. Janusit.

Në punimin doktorial të Jonuzit është dhe çështja e krahinave, një çështje që siç dhe mund të kuptohet ka absorbuar një reflektim të madh dijesh historike, por dhe etnologjike dhe ligjeve sociologjike. Nëse këto hapësira kohore dhe njerëzore janë të tilla, në këtë rast për dijen tonë të hershme dhe të sotme, ka një rëndësi të madhe qasja dhe hulumtimi mbi identitetin  e kësaj hapësire jetike, që me të drejtë prof. Kabo e quan “incesti antropologjik” e referuar ndryshe me mbajtjen e lidhjes si komunitet njerëzor që i takon një lidhjeje natyrore si familje, farefisni dhe fis.

Këto referime të hershme, në mënyrë dialektike dhe filozofike kërkojnë një numër të konsiderueshëm përgjigjesh për pyetje mbi komunikimin, mënyrën e jetesës, lëvizjeve, marrëdhëniet me popujt e tjerë, kushtet rrethanore, ç’mbeti dhe ç’humbi nga ajo kohë dhe të tjera. Kjo sprovë ka çuar në një informacion të rëndësishëm për strukturën e fiseve të caktuara, në hapësirën tjetër hulumtuese nga autori, të cilës ai nuk i është shmangur kurrsesi, raporteve të popuj – fiseve me historinë, të cilin e ka çuar të merret dhe të referojë jo pak autorë antikë.

Natyrisht, depërtimi në historinë, kryesisht të fiseve, pasi një organizim i tillë social është i qëndrueshëm në historitë e popujve në përgjithësi, ka krijuar mundësinë për të dhënë    marrëdhëniet, strukturën e organizmit, shtrirjen e tyre, kufijtë, që në jo pak raste e tejkalojnë dhe kufirin shtetëror, me ç’rast autorit i krijohet mundësia për të elaboruar mjaft burime dhe teza që ai i ka ngritur mbi fakte dhe burime preferenciale, por dhe mjete të tjera të dijeve shkencore.

Dr. Jonuzi ka shfrytëzuar mjaft mirë referimet dhe interpretimet e gjerësishme historike, etnologjike, antropologjike, gjenetike dhe etnokulturore që vijnë përmes oronimeve, (maleve), të cilët në historinë dhe në kujtesën e shqiptarëve (ilirëve) zënë një vend të rëndësishëm. Koncepti gjeografik, por dhe në raportet me shoqërinë dhe historinë e zhvillimit shoqërorë janë fondamental në historinë e vendit të Tahsin Jonuzit, që pashmangshmërisht ka çuar në identitetin historik, i cili përballon ndryshimet në sipërfaqe, pasi këto identitete ngjajnë me ujërat e nëndheshëm, të cilët nuk zhbëhen dot.

Përveç këtyre çështjeve në punim ka dhe çështje të tjera që janë atribut shkencor, që fatmirësisht arritën deri në ditët tona, me vlerë dhe rëndësi të rrallë etnokulturore. Libri referon çështje që lidhen fort me të vërtetat e lashta dhe ato historike të popullit tonë, me çështje të identitetit kombëtar, me qytetërime, me komunikime ndërshtetërore. Askush më mirë sesa dr. Tahsin Jonuzin nuk e përmbush definimin se “Atdheu duhet dhe përmes shkencës!”