LAJMI I FUNDIT:

‘Specialisti i penalltive’, Florent Hadergjonaj po kalon sezonin më të mirë në karrierë: Dua Evropianin ose Botërorin me Kosovën

‘Specialisti i penalltive’, Florent Hadergjonaj po kalon sezonin më të mirë në karrierë: Dua Evropianin ose Botërorin me Kosovën

Florent Hadergjonaj, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës dhe i skuadrës turke Alanyaspor, është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer.

Mbrojtësi i djathtë është njohur gjithmonë për lojë të fortë në defensivë dhe asistimet e tij, por ai këtë edicion është shndërruar edhe në një golashënues për skuadrën e tij Alanyaspor.

Në fakt Florenti ka disa vite që është bërë një specialist i ekzekutimit të penalltive, që nga koha sa ishte te Kasimpasa dhe këtë e ka vazhduar edhe te Alanyaspor.


30-vjeçari ka shënuar tre gola në kampionat dhe ka dhënë dy asistime, derisa ka edhe një gol tjetër në Kupën e Turqisë dhe të gjithë nga penalltia.

Në një intervistë për Telegrafin, Hadergjonaj flet për ekzekutimin e penalltive, objektivat me klubin, të ardhmen e tij ku nuk i mungojnë ofertat dhe Kombëtaren e Kosovës.

“Para katër vitesh fillova t’i ekzekutoj penalltitë kur luaja për Kasimpasën. Kjo do të thotë që nuk është diçka e re që po përjetoj aktualisht. Nuk e kam marrë vendimin sot për nesër, por gjatë stërvitjeve kam ushtruar shumë penallti, dhe qëllimi im ka qenë të jem i përgatitur për situata të tilla në lojë, sepse një penallti mund të vendosë ndeshjen në momentet vendimtare. Në ato raste, duhet të jesh i fortë mendërisht, pasi mund të jesh ai që e shpëton lojën ose ai që e humb. Këtë presion duhet ta durosh dhe të dish të sillesh si duhet. Por unë e adhuroj këtë adrenalin”, thotë Hadergjonaj për Telegrafin.

Hadergjonaj tregon se të gjuash penallti nuk është e lehtë, pasi ka të bëjë me anën psikologjike dhe duhet të jetë fokusi maksimal.

“Besoj se shumë mendojnë se të shënosh penallti është e lehtë, por në realitet është shumë më i vështirë sesa duket. Ka të bëjë shumë me psikologjinë: a je në gjendje të fokusohesh në momentin e duhur apo jo? Siç e thashë më parë, ka situata kur loja varet nga ti”, vazhdon tutje Hadergjonaj.

Hadergjonaj ka gjuajtur 11 penallti deri më tani, derisa në 10 prej tyre ka qenë i saktë dhe vetëm një e ka humbur.

Për mbrojtësin dardan kjo është forma më e mirë që ka kaluar në karrierë, pasi ai më parë ka luajtur për Young Boys Bern në Superligën e Zvicrës, Ingolstadt në Bundesliga dhe Huddersfield në Ligën Premier para se të transferohet në futbollin turk ku fillimisht ishte pjesë e Kasimpasas dhe tani e Alanyaspor.

“Mund të them me siguri që jam në formën më të mirë të karrierës sime. Megjithatë, duhet të shtoj se ndoshta edhe më parë kam qenë në formë të lartë, por gjithmonë varet nga sistemi i trajnerit dhe stili i lojës që ai kërkon. Tani, për momentin, kam shumë besim nga klubi dhe trajneri, dhe kjo më jep hapësirë për të luajtur lojën time”, tha Hadergjonaj.

Kontrata e tij me Alanyasporin skadon në verë, derisa edhe gjatë janarit kishte oferta për të nga klubet e Superligës së Turqisë, por klubi aktual vendosi me çdo kusht ta mbajë.

E vera pritet të jetë e nxehtë për të ardhmen e Hadergjonajt pasi vet mbrojtësi e konfirmon një gjë të tillë.

“Në lidhje me kontratën, ajo skadon në fund të sezonit. Alanyaspori është shumë i kënaqur me mua si lojtar dhe si karakter, dhe kanë shprehur interesin për të vazhduar bashkëpunimin pas verës. Megjithatë, për momentin, fokusi im është të përfundoj këtë sezon sa më mirë që të mundem, dhe pastaj do të shohim se çfarë të ardhme më pret”.

“Ka pasur interesime dhe oferta nga brenda dhe jashtë Turqisë, por nuk ishte momenti i duhur për mua të ndryshoja skuadër. Vera do të jetë shumë interesante për mua dhe të ardhmen time”, thotë Hadergjonaj.

Qëllimi i tij është që të bëjë sa më mirë si në aspektin individual ashtu edhe për ekipin.

“Qëllimi im personal është të jap sa më shumë për ekipin me lojën time dhe stilin tim. Tani jam 30 vjeç, kam një eksperiencë të madhe, kam luajtur në disa nga ligat më të forta dhe jam në formë të mirë. Kjo kombinim më bën interesant si lojtar, dhe dua ta tregoj këtë në fushë përmes performancave të mia, duke ndihmuar ekipin të arrijë suksese”.

E në muajin mars Haderjgonaj me Kombëtaren e Kosovës do të përballen në ‘Play-Off’ të Ligës së Kombeve me Islandën, ku Dardanët synojnë të shkojnë në Ligën B.

“Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Duhet të kthehemi në atë ritëm që kishim gjatë kualifikimeve në nëntor, kur ishim në një fazë shumë të mirë. Tani ka ardhur koha të arrijmë diçka të madhe së bashku dhe të fitojmë vendin në grupin B”, tha Hadergjonaj.

Ëndrra e tij e madhe është që me Kombëtaren e Kosovës të shkoj në një kampionat Evropian ose Botëror.

“Natyrisht, ëndrra ime është të kualifikohemi me Kosovën për një Europian ose Botëror. Shpresoj që kjo të mos mbetet vetëm një ëndërr, por të bëhet realitet një ditë. Nuk mund ta përshkruaj sa shumë dëshiroj ta arrijmë këtë me kombëtaren tonë”, përfundoi Hadergjonaj. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Benzema shpërfilli Ronaldon dhe Messin kur emëroi 'lojtarin më të mirë në histori'

Benzema shpërfilli Ronaldon dhe Messin kur emëroi 'lojtarin më të mirë në histori'

Ndërkombëtare
Bayerni po përgatitë ofertë 50 milionëshe për yllin e Real Madridit

Bayerni po përgatitë ofertë 50 milionëshe për yllin e Real Madridit

Bundesliga
Lojtari i Real Madridit nuk do të luajë më këtë sezon për klubin pas vendimit të Ancelottit

Lojtari i Real Madridit nuk do të luajë më këtë sezon për klubin pas vendimit të Ancelottit

La Liga
Gareth Bale parashikon fituesin e Topit të Artë të vitit 2025 - përjashton Salahun

Gareth Bale parashikon fituesin e Topit të Artë të vitit 2025 - përjashton Salahun

Ndërkombëtare
Alvaro Morata zbulon arsyen befasuese pse nuk qëndroi gjatë tek Milani

Alvaro Morata zbulon arsyen befasuese pse nuk qëndroi gjatë tek Milani

Ndërkombëtare
Xavi i ka bërë të qarta ndjenjat e tij ndaj Man Utd teksa INEOS 'i bën thirrje' ish-trajnerit të Barcelonës

Xavi i ka bërë të qarta ndjenjat e tij ndaj Man Utd teksa INEOS 'i bën thirrje' ish-trajnerit të Barcelonës

Premier League
Kalo në kategori