LAJMI I FUNDIT:

Aktakuza ndaj Milan Radoiçiqit e 41 të tjerëve mbetet në sirtar të gjykatës

Aktakuza ndaj Milan Radoiçiqit e 41 të tjerëve mbetet në sirtar të gjykatës

Kanë kaluar mbi 150 ditë nga ngritja e aktakuzës më të bujshme në Kosovë, atë për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin u vra një zyrtar policor i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku.

Përveç tre personave që janë në paraburgim, për gjykimin e 42 të tjerëve që nuk janë të arritshëm për drejtësinë e Kosovës, nuk dihet se si do të vazhdohet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ende nuk ka vendosur për ta, e për të vazhduar me gjykimin ndaj Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq e Dushan Maksimoviq është në pritje të Apelit.


“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me tre të pandehurit në këtë çështje penale, lënda gjendet me ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa lidhur me çështjen e gjykimit në mungesë, ende nuk është marr vendim nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për RTV Dukagjini.

Ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala thotë se Gjykata Supreme është dashur të sqarojë të gjitha dilemat, dhe se për Kosovën e sistemin e drejtësisë është e rëndësishme që ky rast të marr formë të prerë.

“Gjykata Supreme nuk e ka dhënë mendimin që me i ndihmu gjyqtarit, është dashur të jetë shumë konciz dhe ta thotë fjalën e vet si institucioni më i lartë në sistemin e drejtësisë. Kështu që të thotë po ka të drejtë gjykohet ose jo, por ajo ka dhënë kompromisin më të keq. Gjyqësorit nuk i lejohet një kompromis i tillë”, ka thënë Shala.

Ndërkohë që Gzim Shala nga IKD, thotë se sistemi i drejtësisë nuk ka se çfarë të bëjë në situatën që është, por ndërkombëtarët duhet të rrisin presionin karshi Serbisë.

“Duke pasur parasysh afatet e kodit të procedurës penale dhe ndërlikueshmërinë e këtij rasti nuk mund të themi që kemi rënë në vonesë. Sa i përket trajtimit të këtij rasti dhe sa i përket personave të tjerë që janë të paarritshëm për drejtësinë gjykimi për të njëjtit është veçuar dhe mund të vazhdojë vetëm kur të jenë të arritshëm për drejtësinë. Aktualisht sistemi i drejtësisë nuk ka çfarë të bëjë. Dhe është shumë e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion te shteti serb, që Serbia të mos shfrytëzohet si parajsë e kriminelëve”, ka thënë Shala.

Gjyqtari Arben Hoti, në seancën fillestare vendosi të veçojë procedurën ndaj 42 personave, që janë në arrati, e të kërkojë mendim nga Gjykata Supreme, por që kjo e fundit e la në dorë të gjyqtarit të vendos për këtë.

Milan Radoiçiq, si lider i grupit, e 44 persona të tjerë, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, e për vepra penale të terrorizmit. /Dukagjini/