LAJMI I FUNDIT:

Asnjëri kandidat për kryeministër nuk e ka nënshkruar letrën e zotimit për çështjet e personave me aftësi të kufizuara

Asnjëri kandidat për kryeministër nuk e ka nënshkruar letrën e zotimit për çështjet e personave me aftësi të kufizuara

Organizata “Handikos” ka njoftuar se asnjëri kandidat që garon për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet parlamentare 2025 nuk e ka nënshkruar letrën e zotimit për çështjet e personave me aftësi të kufizuara që duhet të jenë prioritet në qeverisjen e ardhshme.

Sipas njoftimit të “Handikos”, më 13.01.2025, në mënyrë elektronike dhe në formë fizike ka adresuar letër zotimin tek kandidatët për kryeministër te të gjitha subjektet politike.

Qëllimi i letrës së zotimit të përpiluar nga “Handikos” është përmirësimi i jetës së përditshme të personave me aftësi të kufizuara dhe zbatimin e të drejtave të tyre, të cilat garantohen me legjislacion.


Nga “Handikos” kanë treguar se cilat janë kërkesat që i kanë adresuar më me prioritet te kandidatë për kryeministër:

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Ndërtim, i cili do rregullojë qasshmërinë për personat me aftësi të kufizuara;

Nxjerrja e Aktit nënligjor, për rehabilitimin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, bazuar në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik;

Lirimi nga zhdoganimi i automjeteve të përshtatura nga taksa e importit, përfshirë TVSH -në për personat me aftësi të kufizuara, kujdestarët e tyre dhe shoqatat e licencuara, që ofrojnë shërbime për persona me aftësi të kufizuara;

Sigurimi i Kodit Buxhetor për financimin e organizatave të personave me aftësi të kufizuara, në Ligjin për buxhet;

Ata madje kanë kritikuar edhe programet e partive politike.

“HANDIKOS shpreh indinjatën për faktin që asnjë subjekt politik nuk ka paraparë diçka konkrete në Plan Programet e tyre qeverisëse në aspektin e përmirësimit të jetesës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, qoftë në fushën e të drejtat të njeriut, në shërbime shëndetësore, mirëqenies apo në çfarëdo fushe tjetër, ku do promovohej edhe një gjithëpërfshirje sa më e madhe” – thuhet në njoftimin e “Handikos”, më 04.02.2025.

Tutje, “Handikos” ka përmendur edhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), sipas të cilave rezultojnë që jetojnë 337,859 persona me vështirësi afatgjate në Kosovë ose 20.3% e popullsisë së përgjithshme.

“HANDIKOS bën thirrje publike që të merren parasysh kërkesat që burojnë nga nevojat e këtij komuniteti të shoqërisë tonë, që në shumë situata janë të diskriminuar, të ketë më shumë angazhim në zbatimin e të drejtave dhe të trajtohen si qytetarë të barabartë, që meritojnë mundësi dhe integrim të plotë” – kanë theksuar nga “Handikos”.

“Handikos” kishte njoftuar edhe më 17.01.2025 se u është dërguar letra e hapur të gjitha subjekteve politike në vend duke kërkuar zotimin e tyre për zbatimin e çështjeve që prekin personat me aftësi të kufizuara.

Kryeministri aktual i Kosovës dhe njëherit kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti e kishte vizituar organizatën “Handikos” më 03.12.2024, një ditë para shënimit të 3 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Kandidati për kryeministër nga LDK është Lumir Abdixhiku, ai për PDK është Bedri Hamza, kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët – Ramush Haradinaj.

“Tash ndjek studimet në fakultet privat për shkak se fakulteti i shtetit, qysh e dimë na, nuk i plotëson të gjitha kriteret dhe kushtet që na me pasë një lëvizje sa ma të lirë” – i kishte thënë studenti me aftësi të kufizuara, Eldin Gashi, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Përveç me studentin, pas fjalimit të tij, Kurti u përball edhe me një prind, Lumnije Bojku, e cila e shoqëronte djalin e saj me aftësi të kufizuara dhe i kërkoi kryeministrit që t’ia punësonte në një punë të shtetit, pasi në sektorin privat nuk po ia pranojnë.

Eldin Gashi është 19-vjeçar dhe përfaqësues i grupit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në “Handikos”.

Gjatë fjalimit të tij, Gashi i ishte drejtuar kryeministrit Kurti duke ia treguar gjendjen në studime dhe theksoi se pa dashje ose me dashje ata janë pjesë e diskriminimit e bullizimit sa i përket bashkëmoshatarëve, arsimtarëve.

19-vjeçari përveç që ia përmendi fakultetin privat Kurtit, ia përmendi edhe spitalin privat.

Sipas Gashit, në vitin 2019 ka pasur një problem me zemër dhe i është dashur të operohet në spital privat.

“Jam ballafaqu edhe njëherë me mjekësinë edhe me spitalin e shtetit në QKUK. Ku e kam pa që aty nuk ka qasje të duhur edhe nuk ka shërbim të duhur shëndetësor për sa i përket sfidës edhe sëmundjes time. Edhe është dashtë me bo operacion transplant në spital privat, ku të gjitha materialet, paret i kam jep prej vetes” – ka treguar Gashi.

Në fund të fjalimit të tij, Gashi i ka kërkuar Kurtit më shumë bashkëpunim për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Për Lumnije Bojkun takimet e tilla të “Handikos”-it, ku shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, janë të mjaftueshme.

Ajo i kërkoi Kurtit që djali t’i punësohet në një punë të shtetit, pasi nuk po i ofrohet mundësia në punë në sektorin privat. Kurti i është përgjigjur se do t’i ndihmonte zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna, duke ua marrë të dhënat kontaktuese.

Në anën tjetër, KALLXO ka realizuar dy hulumtime në vitin 2023 dhe 2024 përmes së cilave është kuptuar institucionet publike diskriminojnë grupet e margjinalizuara.

Në hulumtimin e vitit 2023, mbi 20 institucione publike të vendit, janë monitoruar për më shumë se gjashtë muaj për të parë nëse i plotësojnë obligimet ligjore mbi të drejtat e njeriut.

Mediumi zbuloi se shumica prej tyre nuk ofrojnë qasje fizike për personat me aftësi të kufizuara.

Institucionet, gjithashtu, nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara ashtu siç parasheh ligji e po ashtu ato diskriminojnë gratë në punësim dhe në pozita udhëheqëse.

Njëra nga gjetjet e hulumtimit tregon gjithashtu se institucionet e monitoruara diskriminojnë personat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Kurse, në hulumtimin e vitit 2024, pesë komunat: Prizreni, Mitrovica e Jugut, Suhareka, Gjakova, Mamusha dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës ishin pjesë e një hulumtimi gjatë mujor.

Monitorimi u zhvillua në gjithsej 27 institucione duke përfshirë objektet e komunave, klinika të QKUK-së, objektet e QKMF-ve, Qendrave për Punë Sociale e shkollave për të parë nëse institucionet publike ofrojnë qasje fizike për persona me aftësi të kufizuara.

Hulumtimi konstatoi që vetëm një institucion ofron qasje sipas standardeve.

Në këto institucione u vërejt edhe diskriminimi në punësim i personave me aftësi të kufizuara. Shumica e tyre nuk plotësojnë kushtin ligjor i cili thotë që në çdo të 50-tin punëtorë, një person me aftësi të kufizuara duhet të jetë i punësuar.

Në trend Lajme

Më shumë
Në Mitrovicën Veriore sërish gjenden armë dhe municion, të fshehura në kotec pulash

Në Mitrovicën Veriore sërish gjenden armë dhe municion, të fshehura në kotec pulash

Kronika e Zezë
Bislimi: Vetëvendosje nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti opozitare pas zgjedhjeve

Bislimi: Vetëvendosje nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti opozitare pas zgjedhjeve

Politikë
Hakohet faqja e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, reagon ministri Rashiq

Hakohet faqja e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, reagon ministri Rashiq

Lajme
Suzana Gjekaj, shqiptarja e parë që arrin gradën Kolonele në Ushtrinë Amerikane

Suzana Gjekaj, shqiptarja e parë që arrin gradën Kolonele në Ushtrinë Amerikane

Lajme
Haradinaj: E kam një ndjenjë që do t’i befasojmë të gjithë me rezultat

Haradinaj: E kam një ndjenjë që do t’i befasojmë të gjithë me rezultat

Politikë
Specialja dënon Haxhi Shalën me tre vjet burgim, Januzin dhe Bahtijarin me nga dy vjet

Specialja dënon Haxhi Shalën me tre vjet burgim, Januzin dhe Bahtijarin me nga dy vjet

Drejtësi
Kalo në kategori