Kosova mund të përballet me thirrjet për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, dhe me ndëshkime të tjera, nëse vazhdon t’i ndalojë importet serbe, ka deklaruar për BIRN-in emisar i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin.
Në kohën kur Gjermania po përgatitet ta organizojë si nikoqire samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor, duke shënuar dhjetëvjetorin e platformës të lidhur me BE-në për bashkëpunimin e nivelit të lartë të lidhur ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka vizituar dy herë Kosovën me misionin për t’i davaritur problemet me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.
Më 5 shtator, ambasadori Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rhode, tha se Sarrazin në vizitën e tij të dytë në Kosovë brenda një harku të shkurtë kohor, e ka nxitur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ta heqë ndalesën e qershorit 2023 për importin e produkteve me prejardhje serbe, për të cilën Sarrazin ka thënë se po bllokon tregtinë e lirë në rajon dhe se po e pengon CEFTA-n.
Në këmbim të heqjes së ndalesës, Kosova më nuk do të përfaqësohej zyrtarisht në CEFTA prej misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, por do ta përfaqësonte veten.
Megjithatë, emri i saj do të shkruhej si Kosovo*, me asteriksin që tregon fusnotën se statusi i Kosovës ende duhet të zgjidhet përfundimisht nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke reflektuar refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Menjëherë pas vizitës së Sarrazinit në Kosovë më 17 shtator, gjatë një vizite në Kosovë, Anna Luhrmann, ministre shtetërore e Gjermanisë për Europë dhe Klimë, shkroi në X/Twitter: “Ne e nxisim Kosovën ta bëjë të mundshëm zhbllokimin e CEFTA-s dhe ta lejojë avancimin drejt Tregut të Përbashkët Rajonal për t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve në Kosovë”.
Kosova ka refuzuar ta shfuqizojë ndalesën, duke spikatur shqetësimet e sigurisë.
Por Sarrazin i ka thënë BIRN-it në një intervistë se qëndrimi i saj është i papranueshëm.
“Parimi i Komisionit Europian është se ju mund ta bllokoni vetëm veten dhe ne nuk mund të lejojmë që Kosova të mos i lejojë të tjerët të bashkëpunojnë” – ka thënë Sarrazin.
BIRN-i e ka pyetur Qeverinë e Kosovës për qëndrimin e saj për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje deri në kohën e publikimit të shkrimit.
Megjithatë, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Kurti, ka reaguar në X ndaj Rhodes se masat e Kosovës “nuk janë tregtare, por kanë buruar prej kërcënimeve ndaj sigurisë tonë kombëtare, (masat, v.j.) të imponuara prej autoriteteve tona të sigurisë”.
“Pas tri vjetësh të bllokadës së Serbisë brenda CEFTA-s, ne kemi një zgjidhje kompromisi. Tani Serbia e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura” – ka shkruar ai.
Zulfaj po i referohet faktit se për më shumë se tri vjet, disa kamionë që po bartnin produkte nga Kosova nuk kanë qenë në gjendje të futeshin në Serbi për shkak se Beogradi u kërkon dokumente serbe të regjistrimit ose aso që nuk e përmendin “Republikën e Kosovës”, të cilën nuk e njeh.
Zulfaj ka ngulmuar gjithashtu se “Kosova është anëtarja më proaktive e Procesit të Berlinit dhe se kryeministri Albin Kurti vazhdimisht e ka promovuar integrimin e mëtejshëm”.
Megjithatë, Sarrazin e sfidon këtë argument. “Nuk lidhet me Serbinë” – ka thënë ai. Ai e ka pranuar se probleme të tjera të tregtare të pazgjidhura mbesin ndërmjet dy vendeve, por “kjo është arsyeja pse duhet ta zhbllokojmë CEFTA-n”.
Prej vitit 2020, CEFTA përfshin një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve, të dizajnuar për t’iu adresuar vendeve që i shkelin rregullat duke vënë pengesa ose ndalesa tregtare për produktet.
Mekanizmi nuk është se ka qenë kushedi sa i suksesshëm. Megjithatë, rregullat e tregtisë së lirë kanë lejuar rajonin të ndërtojë një zonë të tregtisë së lirë që në njëfarë forme ngjason me tregun e lirë të BE-së, ku synojnë eventualisht të anëtarësohen vendet e Ballkanit.
Ua ka mundësuar gjithashtu kompanive të huaja të prodhojnë brenda rajonit dhe të shpërndajnë me lehtësi produktet e tyre matanë rajonit.
Vazhdon të kontestohet ndalesa e mallrave
Ndalesa për produktet nga Serbia i ka çakorduar gjërat, pretendon Sarrazin, duke argumentuar se kompanitë e huaja, sidomos ato gjermane, janë ankuar për të.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane e Tregtisë në Prishtinë kanë dalë me qëndrime të ngjashme.
Ndalesa “po i godet kompanitë tona gjithashtu, dhe po i godet edhe çmimet në Kosovë, jam i bindur për këtë” – ka thënë Sarrazin.
Ai ka thënë se Qeveria gjermane “ia ka komunikuar qartësisht Qeverisë së Kosovës prej zbatimit të ndalesës se neve nuk na pëlqen kjo ndalesë dhe se ndalesa po e godet ekonominë tonë fort”.
Kosova ndaloi produktet me origjinë nga Serbia, përfshirë materialet e papërpunuara dhe ilaçet më 15 qershor 2023, pas asaj që Kosova pretendon se ishte kidnapim i tre zyrtarëve policorë prej policisë serbe në kufi.
Autoritetet e Kosovës kanë spikatur arsyet e sigurisë dhe nevojën për ndalur trafikimin e armëve si arsye ndalese.
Sarrazin ka thënë se Qeveria gjermane kishte kërkuar një vendim të shkruar, “me qëllim që ne të mund ta verifikojmë, por kurrë nuk kemi pranuar asgjë.
“Nuk ka ndonjë ndalesë të shkruar të kodifikuar. Është njëfarë soji i legjislacionit gojor ose diçka që, sipas standardeve gjermane, jo vetëm që është e pazakonshme; është krejtësisht e çuditshme për ne” – ka thënë ai.
Deri tani nuk ka pasur ndonjë raport zyrtar për efektivitetin e ndalesës.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, që kërkon shfuqizimin e ndalesës, i ka thënë BIRN-it se meqë lidhet vetëm me produktet e paketuara, i shkakton dëm të vogël Serbisë dhe se më shumë e dëmton Kosovën dhe potencialin e saj për të tregtuar lirshëm.
“Kjo ia jep Serbisë mundësinë që më shumë ta luajë viktimën sesa ia dëmton ekonominë” – ka thënë ai. E as nuk e ndal trafikimin, ka thënë ai.
“Serbia ka qarkullin prej 5.6 miliardë eurosh vetëm me kompanitë gjermane, kur vjen puna te Kosova (eksportet serbe me Kosovën), po flasim për rreth 200 deri në 300 milionë euro, kështu që nuk është që përnjëmend e dëmtojnë ekonominë e tyre” – ka shpjeguar Rafuna.
Ai ka shtuar se problemi është më i madh për kompanitë gjermane dhe të tjera të huaja që kanë degë prodhimi në Serbi dhe që tani, për shkak të ndalesës, duhet të shpenzojnë më shumë për logjistikë dhe transport.
“Nuk është se ndalë mallrat serbe, sepse shumica absolute e produkteve finale u përkasin kompanive amerikane, turke dhe gjermane” – ka thënë ai.
Rreziku për izolim edhe politik, edhe ekonomik
Kosova tashmë është nën kufizime për shkak të vendimeve të tjera të Qeverisë së Kurtit, të cilat, sipas disa ekspertëve, tashmë i kanë trembur investitorët.
Në qershor 2023, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, njoftoi se shtetet e anëtare ishin pajtuar që të merrnin “masa kthyese dhe të përkohshme” kundër Kosovës, “varësisht prej zhvillimit në terren dhe hapave të besueshëm vendimtarë prej kryeministrit Kurti”.
Disa prej masave ndëshkuese, që i përmendi ai, përfshinin “anulimin e vizitave, kontakteve dhe aktiviteteve të nivelit të lartë, si dhe bashkëpunimin tonë financiar me Kosovën”.
Masat u imponuan pasi serbët e Kosovës, të cilët po protestonin kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave, u përleshën dhunshëm me paqeruajtësit e NATO-s në majin e vitit 2023.
BE-ja fajësoi Kosovën për trazirat dhe i kërkoi ta shpërshkallëzonte situatën me anulimin e operacioneve policore afër ndërtesave komunale në katër komunat veriore me shumicë serbe, dhe që të mbaheshin zgjedhje të reja që nuk do t’i nënshtroheshin bojkotit lokal serb.
Prania policore u reduktua dhe u mbajt peticioni që lejonte shkarkimin e kryetarëve në katër komunat, por masat e BE-së ende janë në fuqi.
Në shtator 2023, Emrush Ujkani, drejtor i Këshillit të Investitorëve Europianë në Kosovë, shoqatë e investitorëve të mëdhenj të huaj, i deklaronte BIRN-it se masat e BE-së kishin shkaktuar tashmë “një efekt domino në investime prej shteteve anëtare të BE-së”.
“Ne kishim pak interesim në energji, agrikulturë, turizëm, por … më duhet të them se masat kanë lënë shenjë dhe nuk janë mesazh i mirë” – deklaronte ai.
Sugjerimi i Sarrazinit se Kosova mund të largohet krejtësisht nga CEFTA me gjasë do t’i shqetësojë investitorët edhe më shumë.
Masat mund të thellohen edhe më shumë. Sarrazin ka deklaruar për BIRN-in: “Dëgjova në Bruksel shumë qartë se pjesëmarrja e Kosovës në SEPA (Zona e Përbashkët e Pagesave në Euro), që ua mundëson diasporës kosovare të dërgojë para në Kosovë, me gjasë nuk do të lejohet nëse nuk lëvizin në këtë pikë”.
Sipas Rafunës, Kosova tashmë nuk është se konsiderohet gjerësisht si lokacion i mirë për investimet e huaja. Dhe nëse do të hiqej nga marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë, ku tarifa të prekshme do t’u viheshin mallrave që hynë e dalin nga Kosova, do të rrezikojë të futet në “izolim total”, ka paralajmëruar ai.
Ai ka shtuar se Oda Ekonomike i ka kërkuar Qeverisë ta heqë ndalesën.
Më 12 shtator, Oda Amerikane e Tregtisë në Kosovë, AmCham, ka shprehur gjithashtu shqetësimin për izolimin e mundshëm, duke e nxitur Qeverinë që “t’i përmbytë masën që kufizon lëvizjen e lirë të mallrave nga shtetet anëtare të VEFTA-s”, duke shpjeguar se ajo “kërcënon prospektet e ardhshme të vendit që varen prej bashkëpunimit ekonomik”.
Shtegdalja e vetme drejt integrimit euro-atlantik, sipas Odës Amerikane të Tregtisë, është “nëpërmjet marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore”.
“Qasja aktuale që mund të shpjerë drejt izolimit ekonomik dhe politik mbart në vete pasoja të paparashikueshme, duke rrezikuar me stagnim në rritjen ekonomike dhe cenim të mirëqenies së qytetarëve” – thuhet në komunikatë.
“Këto paralajmërime nuk duhet të merren thjesht si retorikë, sidomos duke pasur parasysh se Kosova tashmë po përballet me masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian, i cili rezultat huqi mundësitë për zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror”.
Në qëndrimin e Odës Amerikane të Tregtisë thuhej më tej: “Investitorë seriozë janë joshur drejt tregjeve më të mëdha dhe më të integruara, dhe Kosova duhet ta pozicionojë veten në përkitazi me këtë që ta realizojë plotësisht potencialin e saj”.
Meqë Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk e njohin Kosovën, kompanitë nga Kosova gjithashtu përballen me pengesa të atjeshme, të lidhura me certifikatat ose dokumentet tjera të lëshuara prej autoriteteve të Kosovës.
Oda Amerikane ka pranuar ekzistimin e këtyre pengesave jotarifore, por ka shtuar se “këto sfida duhet të adresohen nëpërmjet mekanizmave tregtarë të themeluar dhe dialogut të hapur konstruktiv”.
Sarrazin ka thënë se pengesat e kësollojshme jotarifore nga Serbia, do të zgjidhen vetëm nëse CEFTA zhbllokohet prej heqjes së ndalesës nga Kosova, ose, nëse nuk do të ketë kompromis, prej heqjes së Kosovës nga CEFTA.
Ai ka thënë se është jologjike që Prishtina ta shkaktojë një bllokadë në marrëveshjen e tregtisë së lirë për shkak se Beogradi po e shkakton një tjetër.
Gjermania e ka mbështetur vazhdimisht Kosovën – “por ne nuk mund ta lejojmë Kosovën ta bllokojë bashkëpunimin rajonal në këtë moment vendimtar të kohës”, ka përfunduar ai./BalkanInsight
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëVrasja e 29-vjeçarit në Malishevë, ngritet aktakuzë ndaj nëntë personave
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Analistët: Ndarja e subvencioneve në bujqësi, dëmtoi imazhin e qeverisë
Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor pasi shkaktoi aksident me fatalitet
Nga Gjermania në Kosovë: Historia e çiftit Zhubi që u kthye në vendlindje pas 32 vitesh
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian