LAJMI I FUNDIT:

​Kurti: Serbia pasqyron stilin autoritar të Rusisë

​Kurti: Serbia pasqyron stilin autoritar të Rusisë

Kryeministri  Albin Kurti ka deklaruar se Serbia sot pasqyron stilin autoritar të Rusisë, e cila ka për strategji krijimin e tensioneve në Kosovë dhe ndarjen e Bosnjës, duke i përdorur ato si mjet negocimi me Perëndimin për të siguruar lëshime dhe shmangur reformat e nevojshme.

Ai këto komente i bëri sot në panelin online të diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe kriza globale – Stuhi të reja apo diell?”, në kuadër të Forumit për Integrimin e Ballkanit 2024.

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Kurti tha se sfidat me të cilat përballet rajoni janë të ndërthurura me kontekstin më të gjerë të ndryshimeve globale në aspekte të ndryshme politike dhe gjeopolitike.


Kurti theksoi se Serbia duhet të pajtohet me faktin se epoka e zgjerimit territorial dhe ndarjeve etnike ka përfunduar, dhe se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal, dhe se vijon të punojë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Ai shtoi se Kosova në tri vjetët e fundit ka shënuar rritjen më të shpejtë të treguesve demokratikë në rajon dhe rritje të lartë ekonomike, duke treguar se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah njëra-tjetrës.

Ndryshe, pjesë e panelit ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi Filip Ivanoviq, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës Zhelko Komshiq, emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, deputeti i Parlamentit Evropian Tonino Picula dhe shefja e diplomacisë sllovene Tanja Fajon.