LAJMI I FUNDIT:

Kursi i euros me lekun bie në një minimum të ri historik

Kursi i euros me lekun bie në një minimum të ri historik

Kursi i këmbimit të euros me lekun ka prekur një minimum të ri historik ditën e enjte. 

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane u këmbye me 99.58 lekë, duke thyer lehtë rekordin e mëparshëm prej 99.6 lekësh që ishte arritur në datën 20 gusht të këtij viti.

Që prej muajit gusht, Banka e Shqipërisë duket se ka hequr dorë nga përpjekjet për ta mbajtur kursin sipër kufirit të 100 lekëve dhe kjo u ka hapur rrugën forcave të tregut që vazhdojnë ta tërheqin në rënie monedhën evropiane.


Sipas agjentëve të këmbimit, prurjet e valutës në treg ngelen të qëndrueshme edhe pasi sezoni veror e ka kaluar momentin e pikut. Kjo konfirmon se në vitet e fundit dinamika e kursit të këmbimit ka ndryshuar dhe rënia e tij nuk lidhet më vetëm me efektin sezonal.

Një arsye mund të jetë shpërndarja në kohë e turizmit hyrës, që tashmë është më aq shumë e përqendruar vetëm në muajt e verës. Sidoqoftë, prurjet e larta valutore nuk duken të jenë të lidhura vetëm me turizmin, por edhe me investimet e mëdha nga jashtë në pasuri të paluajtshme.

Deri në mesin e këtij viti, statistikat tregojnë një rritje të deficitit të llogarisë korrente, por nga ana tjetër një vijimësi të rritjes së investimeve të huaja direkte.

Në tremujorin e dytë, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me 7.3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, për të gjithë 6-mujorin e parë, deficiti i llogarisë korrente ngelet në vlerat më të larta që prej vitit 2020, me një vlerë totale prej 575 milionë eurosh ose 53% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 749 milionë euro, gjithashtu niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte paraqitet në rritje me 8% krahasuar
me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti afërsisht një e katërta e vlerës së investimeve të huaja direkte shkuan në pasuri të paluajtshme. Vlera e investimeve të huaja direkte e ka tejklauar me 30% vlerën e deficitit të llogarisë korrente, raporton Monitor. /Telegrafi/