LAJMI I FUNDIT:

Procesi i Berlinit, përbashkues apo përjashtues për Kosovën?

Procesi i Berlinit, përbashkues apo përjashtues për Kosovën?

Edhe pse Procesi i Berlinit ka për synim gjetjen e gjuhës së përbashkët mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që t’u lehtësohet rruga për integrim evropian, deklarimet e fundit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përfaqësuesve diplomatikë të Gjermanisë, shpërfaqin një rrezik të mundshëm që Kosova të përjashtohet nga ky proces.

Heqja e Kosovës nga një proces i tillë aq i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, po shihet si një “cung i madh” që mund ta pengojë Kosovën në rrugën e saj evropiane. Në Procesin e Berlinit, Kosova nuk paraqitet e barabartë si shtetet tjera, por me fusnotë dhe në kundërshtim me parimet e vetë procesit, pasi që vetë synimi i nismës në fjalë është që palët të përafrohen në interesa të përbashkëta.

Një përjashtim i tillë po besohet se mund të ndodhë në rast se nuk ofrohet një zgjidhje që Kosova të largojë masat e sigurisë për mallrat serbe, në mënyrë që të arrihet pajtim për ndryshim të statusit të përfaqësimit në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).


Se Kosovës i kanoset rreziku i përjashtimit nga ky proces, që edhe një muaj e ndajnë nga samiti i ardhshëm, e tha edhe vetë presidentja Osmani. E para e vendit pohoi se një largim i tillë mund të ndodhë nëse nuk bëhet kompromis për CEFTA – për zhbllokimin e mallrave serbe.

“Unë, së pari angazhohem që të bindet Gjermania që Kosovën mos ta largojnë … E dyta, unë propozoj nja 10 fjali të ndryshme që e arrijnë qëllimin e Kosovës- po duket në dukje të parë që janë kompromis, sepse mund të gjendet rrugë e përbashkët”. tha Osmani në një intervistë për “KallxoPërnime”, duke shtuar se Kosova duhet të këmbëngulë në propozime të reja lidhur me çështjen e CEFTA-s.

CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Atëbotë, marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u, në emër të Kosovës. Pas pavarësisë, institucionet kosovare ndërruan vulat doganore, mirëpo edhe pse u vendosën simbolet shtetërore, Kosova vazhdoi të përfaqësohet nga UNMIK-u.

Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së.

E gjithë “rrëmuja” me dyshimet se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit besohet se po ndodhë për shkak se Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor 2023, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Ndërkaq, mandati i Procesit të Berlinit është për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – për t’u mundësuar atyre që t’i bashkohen BE-së.

Sinjalet e Sarrazinit

Gjermania mban qëndrimin që e shpërfaqi emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, që ndalimi de facto i importit të mallrave serbe është një pengesë për tregtinë e lirë në rajon dhe për këtë arsye është në rrugën e zbatimit të suksesshëm të hapave të ardhshëm me CEFTA-n.

Zëdhënësi i Ambasadës gjermane në Kosovë, Christian Bottcher tha se duan të shkojnë në hapat e ardhshëm sepse kjo do të nënkuptonte gjithashtu se UNMIK-u nuk do ta përfaqësojë më Kosovën në CEFTA, duke çuar kështu në përfaqësim më të barabartë mes shteteve të rajonit.

“Sa i përket pretendimeve të Qeverisë së Kosovës se ndalimi i importit do të ishte masë sigurie, Sarrazin (emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor) theksoi qartë se Gjermania ka ofruar një paketë sigurie, përfshirë teknologjinë më të fundit, për të lejuar skanimin e shpejtë dhe të sigurt të mallrave në pikat kufitare”, tha Bottcher.

Bottcher tha se kryeministri Kurti vizitoi zotin Sarrazin në Hamburg dhe i pa ata skanerë të teknologjisë së lartë në punë, megjithatë pala kosovare nuk ishte e gatshme ta pranonte këtë ofertë.

Këta skanerë i përmendi edhe presidentja Osmani, duke thënë se Gjermania ka ofruar skanerë profesionalë nëpërmjet të cilëve mund të kalojnë kamionët me mallra. Por, presidentja, ndryshe prej Ambasadës Gjermane tha se skanerët nuk kanë ardhur ende sepse ka procedura prokurimi në Gjermani dhe dy shtete tjera.

“Donacion i jashtëzakonshëm për Doganën dhe Policinë. Skanerët akoma nuk kanë ardhur sepse ka procedura prokurimi- të Gjermanisë dhe në dy shtete tjera. Po kërkojnë që të hiqen masat në mënyrë që paralelisht të largohet UNMIK-u, të jetë Kosova dhe pastaj të vijnë skanerët”- ka thënë Osmani.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Zyra e Kryeministrit për këtë çështje nëse kanë shqyrtuar ofertën e Gjermanisë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Në qershor të këtij viti, kryeministri Kurti kishte bërë të ditur që gjatë vizitës së tij zyrtare në Hamburg, gjatë së cilës takoi Manuel Sarrazinin, se po shohin se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane “do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt”.

Sarrazin në javën e fundit të gushtit kishte zhvilluar një takim me kryeministrin Kurti, që sipas tij, kërkoi që për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian duhen kompromise “jo të lehta mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”, kishte thënë Sarrazin.

Ndërkaq pas takimit të dytë, Sarrazin në një intervistë për emisionin ‘Interaktiv’ kishte thënë se në të dyja vizitat që ka zhvilluar në Kosovë se ka marrë përgjigje negative nga kryeministri Albin Kurti në kërkesën për një kompromis.

“Ne kemi parimin kryesor në Bashkimin Evropian dhe tash veç mund ta bllokosh veten. Më duhet t’ia shpjegoj këtu Qeverisë së Kosovës se do të vazhdojmë me marrëveshje për këto çështje, lidhur me tregun e lirë të përbashkët, edhe pa Kosovën nëse është e domosdoshme. Ky është mesazhi im i sotëm”- ka thënë ai.

Në lidhje me vizitat e Sarrazinit, ambasadori gjerman Jorn Rohde deklaroi më 05.09.2024, se nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën, për momentin, për të ecur përpara me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit.

Pas takimit të fundit të kryeministrit me Sarrazinin, këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj, tha se Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë.

“Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura. Masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë. Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, ka thënë Zulfaj.

Përveç kësaj Zulfaj është shprehur se Kosova është shteti më proaktiv në Procesin e Berlinit dhe se kryeministri Kurti vazhdimisht ka promovuar integrimin e rajonit.

Në kundërshtim me frymën e nismës

Njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi thotë se Procesi i Berlinit dhe vetë procesi i integrimit nuk është një proces përjashtues. Përkundrazi, sipas tij, këto modele janë krijuar që të afrojnë palët, të gjejnë rrugë për të ardhme ku interesat e përbashkëta i bëjnë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që t’i harrojnë mospajtimet.

Muharremi thotë se përderisa BE-ja dhe Gjermania kanë të drejtë që të kërkojnë që Kosova të pranojë të ecë tutje me fusnotë, edhe Qeveria e Kosovës e cila e ka trashëguar atë marrëveshje ka të drejtë që të kërkojë trajtim të barabartë.

“Ky ‘konflikt’ është indikator që ka ardhur koha që mos të ketë trajtim dhe marrëdhënie asimetrike për asnjë shtet”, tha Muharremi.

Njohësi i këtyre çështjeve, thotë se është mirë që Gjermania dhe Qeveria e Kosovës të vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje kompromisi që mundëson të lëvizë rajonin përpara.

Vetë Procesi i Berlinit do të dëmtohet nëse është përjashtues dhe nuk përfshin të gjitha vendet, thotë Muharremi.

Në këndvështrimin e tij, Kosova ka bërë bukur shumë kompromise në dekadat e fundit, por gjithashtu ka fituar shumë benefite nga bashkëpunimi, përfshirë këtu edhe vet pavarësinë.

“Teknikisht, Kosova i humb rreth pesë miliardë euro në vit, gjysmën e ekonomisë- me humbje tregtare. Kështu që edhe pse është mirë të jetë e hapur, ajo duhet të forcoj ekonominë e brendshme që të jetë një partner i barabartë në tregti”- shtoi ai.

Rrjedhimisht, Muharremi thotë se më shumë humbet vet CEFTA nga mospjesëmarrja e Kosovës, se kjo e fundit është një neto-importuese.

Edhe profesori në Universitetin e Winchesterit në Angli, Seb Bytyçi, thotë se meqenëse çështja lidhet me masat e sigurisë, atëherë mund të bëhet një kompromis që të hiqen masat dhe kjo të hyjë në fuqi momentin e ardhjes së skanerëve.

“Duke qenë se ka hapësirë për kompromis, nuk besoj se Kosova do të mbetet jashtë Procesit të Berlinit”, tha ai.

Mirëpo, kjo ndoshta nuk do të ndodhë deri para Samitit të 14 tetorit, thotë Bytyçi.

Anët politike

Në pyetjen drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në lidhje me këtë çështje, ai nuk u përgjigj direkt nëse kanë marrë ndonjë paralajmërim zyrtar, përveç deklaratave të Sarrazinit se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, por e lidhi me procesin e dialogut.

Konjufca tha se Kosova dëshiron të mbërrijë në një pikë e që kjo sipas tij është betejë e drejtë ku sundimi i ligjit mos të cilësohet si destabilizim.

“A ka mundësi me bo shtrirje të ligjit, edhe shtrirje të sovranitetit dhe mos me qenë destabilizim. Ndoshta nuk e kemi gjet mënyrën më të mirë, por do ta përmirësojmë. Drejtimi është i mirë dhe i duhuri”, u përgjigj Konjufca.

Kryekuvendari tha se Kosova është e diskriminuar dhe e pabarabartë në Procesin e Dialogut.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com pyeti edhe kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali gjatë vizitës së saj në Kosovë, duke marrë parasysh që edhe Shqipëria është pjesë e këtij procesi.

“Procesi i Berlinit duhet të jetë gjithpërfshirës dhe padyshim që Kosova duhet të ketë vendin e saj si e barabartë për të garantuar ato të drejta dhe të mira që vijnë nga Procesi i Berlinit”- tha ajo.

Spiropali tha se qëndrimi i Shqipërisë ka qenë i qartë sot e gjithmonë, “Shqipëria beson që Kosova ka të drejtë për të vendosur sovranitetin në tërë Kosovën ashtu siç duhet të vendosë sundimin e ligjit”.

Ajo beson që  Kosova duhet të jetë zot shtëpie në shtëpinë e vet dhe se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë pa diskutim është një platformë që duhet të garantojë standarde të njëjta, kushte të barabarta dhe duhet përfundojë me marrëveshje që shteti i Kosovës të njihet si i pavarur.

Ndërkaq, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane kanë këndvështrime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Nga opozita besojnë që qëndrimet e Kurtit në vazhdimësi po devijojnë rrugën drejt integrimit evropian, ndërsa pozita beson që kjo është rruga e duhur.

Agon Batusha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), thotë që personalisht nuk mendon që Kosova do të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, ani pse sipas tij gjasat sado të vogla ekzistojnë.

“Gjithmonë në bazën e parimeve të shëndosha, duke respektuar të drejtat sovrane te shteteve dhe trajtimin e barabartë të tyre, veçanërisht të Kosovës si shtet ndaj të cilit po kërkohen kompromise të padrejta”, tha Batusha.

Në botëkuptimin e deputetit të partisë në pushtet, Kosova është ndër shtetet më të përkushtuara në Procesin e Berlinit.

“Madje, Kosova ishte e vetme që ngritit shqetësimin e zëvendësimit të Procesin të Berlinit me Open Balkan. Ky i fundit ishte një proces paralel që të vetmin qëllim kishte hegjemoninë serbe në rajon”- shtoi ai.

Përderisa Kosova kryen gjitha obligimet e veta në Procesin e Berlinit, Batusha thotë se është një insistim i zyrtarëve nga shtetet anëtare të BE-së që Kosova të bëjë kompromis në CEFTA.

“Ne jemi për të ecur përpara duke mbrojtur interesat e Kosovës, por nuk mund të vendosim në pikëpyetje sigurinë nacionale të Kosovës”, tha Batusha, duke shtuar që nuk është kjo qasje e duhur ndaj Kosovës.

Batusha tha se në këto momente, Kosova nuk e ka këtë siguri, sidomos kur dihen qëllimet e Serbisë ndaj shtetit tonë.

Partitë opozitare ndërkaq po e akuzojnë kryeministrin Kurti që me qasjen e tij ndaj çështjeve të rëndësishme për të lehtësuar rrugën drejt integrimeve evropiane po e dëmton Kosovën.

Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),  thotë se me këtë Qeveri, me kryeministrin e tanishëm, qasjen dhe komunikimin që e ka me bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet e Bashkimit Evropian, por edhe më gjerë, asgjë nuk është e pamundur, qoftë edhe përjashtimi nga Procesi i Berlinit.

“A e dëmton interesin shtetëror të Kosovës, a e dëmton perspektivën e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike padyshim që e dëmton. Siç po shihet çdo ditë e ma tepër po vërtetohet që e kemi një kryeministër dhe një Qeveri që është e papërgjegjshme dhe jashtë realitetit që mbretëron brenda vendit por edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë”, tha Reçica.

Në anën tjetër, Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se deklaratat e përfaqësuesve gjerman janë shqetësuese.

“Në fakt sepse Kosova veçse është e sanksionuar dhe po pretendohet që do të ketë edhe sanksion shtesë për shkak çështjeve të fundit të pamatura, të pakoordinuara me aleatët tanë”, tha ajo.

Përndryshe, Kadrijaj beson që Procesi i Berlinit ka qenë i vetmi ku Kosova është trajtuar e barabartë.

“Kemi pasur edhe takime dhe në nivel të parlamenteve. Në një takim që e kemi pasur në Petrovac është kërkuar nga Serbia që ne të prezntohemi me fusnotë por nuk kemi pranuar, dhe pas shumë debateve delegacioni i Serbisë e ka lëshuar sallën”, tha ajo.

Kadrijaj tha se kohëve të fundit është parë që Kosova jo që nuk po anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe se kjo qasje e Qeverisë po e izolon Kosovën dhe po e largon nga integrimi evropian. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori