LAJMI I FUNDIT:

Dita kur Britania i shpalli luftë Gjermanisë

Dita kur Britania i shpalli luftë Gjermanisë
Neville Chamberlain

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

“Nuk kishim frikë, jo ne të rinjtë, sepse ishte një përvojë e re për ne. Për sa u përket të moshuarve, ata ishin shumë të shqetësuar për këtë”.

Duke iu kthyer ditës kur Britania i shpalli luftë Gjermanisë naziste, fjalët e një shitësi londinez përmblodhën hendekun e brezave midis atyre që kishin jetuar atë që së shpejti do të bëhej e njohur si Lufta e Parë Botërore dhe atyre që nuk ishin aq të moshuar sa të kujtonin konfliktin e zymtë. Kishin kaluar vetëm 21 vjet nga Lufta e Madhe dhe kryeministri britanik Neville Chamberlain ishte përpjekur me të madhe të parandalonte një tjetër luftë katastrofike me Gjermaninë.


Vetëm një vit më parë, Chamberlain pretendoi se “paqja për kohën tonë” ishte siguruar nga Marrëveshja e Munihut, kur Britania dhe Franca e kishin lejuar Adolf Hitlerin të ikte me vjedhjen e Sudetenlandit nga Çekosllovakia fqinje, për aq kohë sa ai nuk përpiqej të pretendonte ndonjë tokë më shumë. Në mars 1939, Hitleri pushtoi Çekosllovakinë, duke thyer kushtet e marrëveshjes. Më pas, të premten, më 1 shtator 1939, ai nisi një sulm të egër ndaj Polonisë, fqinjit më të dobët të Gjermanisë naziste. Hitleri kishte llogaritur se aleatët e Polonisë, Britania dhe Franca, nuk do të reagonin ndaj këtij provokimi të fundit.

Por, politika e Chamberlainit për të qetësuar agresionin e Hitlerit, nuk mund të arsyetohej më. Britania lëshoi një ultimatum të shtunën, se nëse Hitleri nuk i tërheq forcat e veta, do të ketë luftë. Ky paralajmërim përfundimtar skadoi në orën 11:00 të mëngjesit të së dielës.

Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, Chamberlain u ul përpara një mikrofoni të BBC-së në dhomën e kabinetit në Kryeministri [10 Downing Street], në rezidencën e tij zyrtare. Lexuesi i lajmeve të BBC-së, Alvar Lidell, ishte aty me të. Tridhjetë vite më vonë, ai kështu e përshkroi këtë skenë: “Chamberlaini ishte ulur i vetëm dhe sjellja e tij ishte ajo e një njeriu të rraskapitur, të thyer. Drita e kuqe ndizej vazhdimisht. U përkula mbi shpatullën e tij, e vura në transmetim dhe më pas u ula pas tij dhe isha me të në dhomë gjatë gjithë këtij fjalimi të rëndësishëm”.

Në transmetimin e tij, Chamberlain tha: “Mund ta imagjinoni se çfarë goditje e hidhur është për mua, kur dështoi e gjithë lufta ime e gjatë për të fituar paqen”. Ai tha se pushtimi i Polonisë nga Hitleri “tregon bindshëm se nuk ka gjasa të shpresohet që ky njeri do të heqë dorë ndonjëherë nga praktika e përdorimit të forcës për të fituar atë që i teket – ai mund të ndalohet vetëm me forcë”. Ai shtoi: “Janë të këqija gjërat kundër të cilave ne do të luftojmë – forca brutale, pabesia, padrejtësia, shtypja dhe persekutimi – dhe kundër tyre jam i sigurt se e drejta do të mbizotërojë”.

Chamberlain u bëri thirrje njerëzve që t’i kushtojnë vëmendje njoftimeve që do të pasonin transmetimin e tij, duke shtuar: “Qeveria ka bërë plane sipas të cilave do të jetë e mundur të vazhdohet puna e kombit në ditët e stresit dhe tendosjes që mund të jenë përpara nesh”.

Ndërsa njerëzit u përpoqën ta analizojnë këtë lajm, njoftimet në vijim e transformuan jetën e përditshme në një masë që nuk ishte parë deri në izolimin e parë nga koronavirusi në mars 2020. Të gjitha mjediset argëtuese, si kinematë dhe teatrot, u mbyllën menjëherë deri në njoftimin e mëtejshëm, dhe gjithashtu u ndaluan tubimet e mëdha publike dhe ngjarjet sportive. “Po mbyllen sepse, nëse goditen nga bombat, një numër i madh i njerëzve do të vriteshin ose plagoseshin”, ka thënë qeveria në një deklaratë të lexuar nga Lidell.

Britania u përgatit për sulm të gjithanshëm nga ajri, brenda disa minutave pas shpalljes së luftës. Njerëzve u tha: “Në rast të kërcënimit të sulmeve ajrore, paralajmërimet do të jepen në zonat urbane me anë të sirenave ose tingujve që do të bien në disa vende me lajmërime të shkurtra me ndërprerje, dhe në vendet e tjera me tingullin që ndryshon çdo disa sekonda. Paralajmërimi mund të jepet edhe nga njoftimet e shkurtra nga bilbilat e policisë”.

Ishte informacion i gjatë për t’u mbajtur mend dhe për ta kujtuar mes panikut për një sulm aktual. “Nëse është përdorur gazi helmues, do të paralajmëroheni me tinguj shqetësues. Nëse e dëgjoni, mos dilni nga streha juaj derisa gazi helmues të largohet. Kambanat do t’ju tregojnë kur nuk ka më ndonjë rrezik nga gazi helmues”. Tingujt do të thonë rrezik, kambanat do të thonë siguri? E kuptove.

Njoftimi kishte implikime të pashprehura për nevojën për identifikimin më të lehtë të të vdekurve nga autoritetet. “Mbani gjithmonë me vete maskën tuaj të gazit. Sigurohuni që ju dhe çdo anëtar i familjes suaj, veçanërisht fëmijët që mund të vrapojnë, të keni të shkruar qartë emrat dhe adresën e tyre. Shkruajeni këtë ose në një zarf ose në diçka si etiketë bagazhi, jo në një copë të rëndomtë letre që mund të humbasë, dhe qepni etiketën në rrobat e fëmijëve tuaj aty ku ata nuk mund ta heqin atë”.

Ndërsa shumica kishin frikë nga lajmi për luftën, përgatitjet kishin filluar në mes të agresionit të vazhdueshëm të Hitlerit. Mijëra fëmijë u evakuuan nga qytetet dhe qytezat në ditët e mëparshme. Madje, një vit më parë, BBC kishte njoftuar planet e qeverisë për masat paraprake mbrojtëse. Përveç mobilizimit të njësive vullnetare kundërajrore dhe mbrojtjes bregdetare të Ushtrisë Territoriale, u shpërndanë fletëpalosjet se çfarë duhet bërë gjatë sulmit ajror, u hapën llogoret në parqe dhe u shpërndanë maskat kundër gazit. Qeverisë më vonë iu desh t’i nxiste njerëzit kureshtarë dhe të padurueshëm që të mos testonin maskat e tyre te furrat e gazit ose tubat e shkarkimit të makinave. Në prill të vitit 1939, u fut rekrutimi i civilëve. Në kohën kur erdhi lufta, më shumë se 1.5 milionë strehimore të forta metalike për sulmet ajrore ishin siguruar për njerëzit që do të gërmonin në kopshtet e tyre.

Brenda pak minutash nga shpallja e luftës nga Chamberlaini, sirenat e sulmit ajror u ndezën në të gjithë Londrën. Në vitin 1969, 30 vjet më vonë, BBC mblodhi kujtimet e njerëzve për atë moment, për programin Ku ishe në ditën kur shpërtheu lufta? Një grua tha: “Dëgjova sirenat dhe mezi rrija në këmbë”. Një tjetër u kujtua se kishte parë punëtorët e portit që vraponin për të shpëtuar jetën. Disa u befasuan nga reagimi ndaj njoftimit, si një grua e cila tha: “Ishte gjëja më e mrekullueshme që mund të imagjinoja, ndryshe nga ndjesia e sëmurjes nga tmerri; u ndjeva kaq e ngazëllyer, kaq e emocionuar, aq e kënaqur me veten”.

Një burrë që ishte jashtë kur u dëgjuan sirenat, pyeti dikë nëse mund të strehohej në strehën e tyre të sulmit ajror në kopsht, por i thanë se nuk kishte vend. I zoti i shtëpisë i tha: “Isha i vetmi në këtë kthinë që vendosa të bëj strehën. Sapo ra sirena, të gjithë fqinjët e mi kaluan gardhet e pasme dhe u futën në strehën time. Shikoji ata … si lepuj të malluar”. Një burrë tjetër pranoi se kishte luajtur tenis kur u ndezën sirenat, “dhe u kthyem në shtëpi sa më shpejt që mundëm.”

Spikeri i lajmeve Lidell kujtoi se ishte befasuar, meqë, edhe pse pritej lufta, jo të gjithë ishin mbledhur rreth radios. Ai tha: “Dikush pa njerëz që shëtisnin nën rrezet e diellit – ishte mëngjes i mrekullueshëm – plotësisht të pavëmendshëm për atë që po ndodhte, për deklaratën tronditëse që po jepej. Njeriu nuk mund ta kuptojë si duhet realitetin. Në të njëjtën mënyrë si kur dikush afër jush ka vdekur, nuk e kuptoni këtë menjëherë dhe pothuajse pikërisht kur ato mendime kaluan nëpër mendjen time, u dëgjuan sirenat e sulmit ajror”. Për fat të mirë, këtë herë ishte një alarm i rremë. Londra nuk do të jetë aq me fat në vitet në vijim.

Franca i shpalli luftë Gjermanisë pesë orë pas Britanisë. Presidenti i ShBA-së, Franklin D. Roosevelt, donte të ruante neutralitetin amerikan, duke qenë i matur për të hyrë në atë që shihej si konflikt evropian. Në një nga bisedat e tij të famshme gjatë transmetimit atë mbrëmje, ai tha: “Ky komb do të mbetet komb neutral. Por, nuk mund të kërkoj që çdo amerikan të mbetet asnjanës edhe në mendime”.

Në orën 18:00, Mbreti George VI transmetoi nga Pallati i Bakingemit për nënshtetasit e tij në Britani dhe Komonuelth. Duke i nxitur njerëzit të “qëndrojnë të qetë, të vendosur dhe të bashkuar në këtë kohë sprove”, ai tha: “Detyra do të jetë e vështirë, mund të ketë ditë të errëta përpara dhe lufta nuk mund të kufizohet më në fushën e betejës, por … me ndihmën e Zotit, ne do të fitojmë”. Historia e vështirësive të tij personale që çuan në realizimin e këtij transmetimi radiofonik, u përshkrua në filmin e vitit 2010, Fjalimi i Mbretit [The King’s Speech].

Në Berlin, një grua duhej të priste deri në mbrëmje për të dëgjuar lajmet nga Anglia, sepse “rrezikoje jetën nëse dëgjoje radio të huaj”. Christabel Bielenberg, një grua angleze e martuar me një gjerman, tha se kishte qenë “një ditë krejtësisht e bukur e fillimit të vjeshtës”, por atmosfera kishte rënë. Ajo tha: “Nuk kishte asnjë entuziazëm në Berlin për luftën@.

Pavarësisht nga titujt e gazetave që paralajmëronin për një luftë të afërt, ajo tha: “Sinqerisht nuk e besova, sepse ishim mësuar të mos besonim asgjë në ato ditë. Nuk e besova kur dëgjova se kjo po ndodhte”.

“Në mbrëmje dëgjuam lajmet [Nine O’Clock News] dhe një mik shumë i mirë i burrit tim qëndronte me ne në atë kohë, Adam von Trott, i cili më vonë u var nga Hitleri. Dhe, mbaj mend se ne të tre u kthyem kah radio dhe mendoj se ishte qetësia e mënyrës se si ai njoftoi se Gjermania dhe Anglia ishin në luftë, gjë që më bëri të kuptoj se ishte e vërtetë”.

Pas terrorit të sirenave të sulmit ajror që tingëlluan në Londër, ajo që pasoi në Britani gjatë gjashtë muajve të ardhshëm ishte periudha e cilësuar si Lufta e Rreme, një kohë e tensionit të lartë, por pa rënie të bombave. Nga fundi i pranverës së vitit 1940, vetëm disa njerëz mbanin ende maskat e tyre të gazit dhe strehimoret e papërdorura të sulmit ajror po mbusheshin me ujë. Vetëm më 7 shtator 1940, qiejt u errësuan për herë të parë mbi Anglinë jugore dhe bombarduesit gjermanë filluan bombardimet e tyre pothuajse të vazhdueshme ajrore. Më shumë se 40 mijë civilë do të vriteshin nga bombat gjermane gjatë tetë muajve të tmerrshëm të Blicit.

Chamberlaini dha dorëheqjen si kryeministër në maj të vitit 1940. Vdiq nga kanceri në nëntor të po të njëjtit vit. Tre ditë pas vdekjes së tij, pasardhësi i tij, Winston Churchill, e nderoi në Parlament.

“Çfarëdo tjetër që historia mundet ose nuk mundet të thotë për këto vite të tmerrshme, të jashtëzakonshme, ne mund të jemi të sigurt se Neville Chamberlain veproi me sinqeritet të përsosur sipas pikëpamjes së tij dhe u përpoq me maksimumin e kapacitetit dhe autoritetit të tij, që ishin të fuqishme, për të shpëtuar botën nga lufta e tmerrshme, shkatërruese në të cilën jemi përfshirë tani. Mjafton kjo për t’ia siguruar atij një vend të mirë për sa i përket asaj që quhet verdikti i historisë”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e fisit Shala

Historia e fisit Shala

Kulture
Manastiri i Deçanit, ku ruhet shandani i dhuruar nga Skënderbeu

Manastiri i Deçanit, ku ruhet shandani i dhuruar nga Skënderbeu

Dita kur Britania i shpalli luftë Gjermanisë

Dita kur Britania i shpalli luftë Gjermanisë

Kulture
Fisnikëria e heshtjes

Fisnikëria e heshtjes

Kulture
QESKA E KARAMELEVE

QESKA E KARAMELEVE

FALJA

FALJA

Kalo në kategori