LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja Feministe Studentore ironizon me anëtarët e Këshillit të Etikës, tregojnë se nga protesta e së enjtes u lënduan disa aktivistë

Lëvizja Feministe Studentore ironizon me anëtarët e Këshillit të Etikës, tregojnë se nga protesta e së enjtes u lënduan disa aktivistë
Aktivitet simbolik, Lëvizja Feministe Studentore /Foto: Ridvan Slivova/

Lëvizja Feministe Studentore kanë zhvilluar sot një aksion simbolik, gjersa vendosen para rrethojës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, një pankartë duke ironizuar me anëtarët e Këshillit të Etikës.

Aktivistja Blenda Asllani, në një deklaratë për media tha se çmimi vjetor për mungesë të etikës ia kanë ndarë siç thanë “organit më joprofesional në Universitetin e Prishtinës, Këshillit të Etikës”.


Blenda Asllani nga Lëvizja Feministe Studentore /Foto: Ridvan Slivova/

“Këshillit, i cili ka histori me neglizhim, trajtimin joserioz të rasteve e me dënime skandaloze për shkeljet që konstaton, nuk i mjaftuan as 1 muaj e gjysmë kohë, as dëshmitë e palëve e as 3 seanca që shqyrtuan rastin për ta përjashtuar të denoncuarin 27 herë për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi, duke e lënë kështu që lirshëm të ligjëroj në Fakultetin e Edukimit, ku shumica e studentëve janë vajza”.

Ajo ju bëri thirrje të gjithë stafit akademik, administrativ e teknikë të UP-së, për të gjithë studentët, punëtoret e punëtorët që të ju bashkohen në rezistencën kundër ngacmimeve seksuale dhe kërkesës për hapësira të sigurta për vajzat dhe gratë në UP.

Aktivitet simbolik, Lëvizja Feministe Studentore /Foto: Ridvan Slivova/

“Kërkesat tona janë të qarta dhe në asnjë formë nuk do të tërhiqemi nga ato, edhe nëse kjo nënkupton ndërrim të formës dhe mjeteve të protestës. Xhevat Krasniqi për të cilin tashmë edhe Policia e Kosovës ka nisur hetimet, ka me u përjashtua prej UP-së, zgjidhje tjetër nuk ka”, ka thënë Asllani.

E pyetur se nga protesta se enjtes a ka pasur aktivistë të lënduar, ajo tha: “ Duke e konsideruar që dhuna policore dje ka qenë jo proporcionale dhe numri i zyrtarëve të Policisë së Kosovës ka qenë jo proporcional në raport me numrin e protestuesve, dje kemi pas ndërprerje të dhunshme të protestës, e cila ka qenë rezistencë paqësore dhe përveç që është arrestuar një nga aktivistët disa prej aktivistëve dhe aktivistëve të tjera kanë pësuar lëndime trupore, ënjtje dhe mavijosje dhe për disa prej tyre kanë kërkuar trajtim mjekësor”. /Telegrafi/