LAJMI I FUNDIT:

New York Times padit OpenAI dhe Microsoftin

New York Times padit OpenAI dhe Microsoftin

The New York Times po nis një proces gjyqësor ndaj OpenAI dhe Microsoft për shkelje të të drejtave autoriale, duke pretenduar se dy kompanitë kanë ndërtuar modelet e tyre të inteligjencës artificiale gjersa kanë “kopjuar dhe përdorur miliona” shkrime të tyre.

Siç është shpjeguar në aktakuzë, gazeta amerikane pretendon se modelet e gjuhës (LLM) të OpenAI dhe Microsoft, të cilat fuqizojnë ChatGPT dhe Copilot, “mund të gjenerojnë shkrime duke u bazuar në përmbajtjen e ‘Times verbatim’, e cila imiton stilin e shkrimeve të tyre”.


Kjo “ndërton dhe dëmton” marrëdhënien e Times me lexuesit, thotë media, duke i privuar ata nga “abonimi, licencimi, reklamimi dhe të ardhurat nga partneritetet”, transmeton Telegrafi.

Aktakuza gjithashtu argumenton se këto modele të AI “kërcënojnë gazetarinë cilësore” duke dëmtuar aftësinë e mediave për të mbrojtur dhe monetizuar përmbajtjen, raporton theverge.

“Përmes Bing Chat të Microsoft (që është ndryshe quajtur “Copilot”) dhe ChatGPT të OpenAI, të pandehurit po kërkojnë të përfitojnë pa pagesë nga investimi masiv i Times në gazetari duke e përdorur atë për të krijuar produkte zëvendësuese pa leje ose pagesë”, thotë aktakuza.

Ndërkohë, lirimi i modeleve të AI të trajnuara me përmbajtjen e Times ka treguar të jetë “shumë fitimprurës” për të dyja kompanitë, Microsoft dhe OpenAI, thotë aktakuza.

Gazeta pretendon se është përpjekur të bisedojë me të dyja kompanitë për muaj të tërë për të “siguruar që ajo të merrte një shumë të drejtë për përdorimin e përmbajtjes së saj,” por nuk ka arritur në një zgjidhje.

As OpenAI as Microsoft nuk kanë reaguar menjëherë në kërkesën e mediave për koment. /Telegrafi/