LAJMI I FUNDIT:

“Aquaman and the Lost Kingdom”: Filmi më kot i vitit 2023

“Aquaman and the Lost Kingdom”: Filmi më kot i vitit 2023
Skenë nga filmi “Aquaman and the Lost Kingdom”

Robbie Collin, kritik filmi
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

Disa filma janë aq budallenj sa mund të betohesh se qelizat individuale të trurit vdesin derisa ti i shikon. Pastaj është filmi “Aquaman and the Lost Kingdom” gjatë së cilit m’u duk sikur grumbujt e tërë materies nervore po hiqnin dorë nga shfaqja dhe se po dilnin prej veshëve e mi. Me vetëm pak ditë të mbetura deri në fund të kalendarit të vitit 2023, mbërriti edhe filmi më i çuditshëm i vitit 2023.

As “Aquaman”-i i mëparshëm nuk ishte aq i mirë, por disi – sikur kur të bie dielli në kokë – mirë kaloi. Nga 1.1 miliardë dollarët që ka fituar në botë në vitin 2018, pothuajse një e treta erdhi nga Kina, ndërsa ishte filmi i preferuar i Rumanisë për gjithë vitet 2010. Me sa duket, në një si përpjekje për ta arritur këtë sukses, vazhdimi në thelb është ekuivalenti grafikës kompjuterike që për dy orë të përplaset për fytyre.


Ngjarja gjoja ka të bëjë me një substancë magjike të quajtur orikalkum që, pos nëse je klasicist, është fjala që do ta dëgjoni 500 herë në hapësirën e 120 minutave dhe më pas kurrë në pjesën tjetër të jetës. Por, gjithçka që përfshin në të vërtetë Akuamani Jason Momoa, është vërtitja nëpër një varg skenash të betejave të ngatërruara të krijuara nga kompjuteri, të paraqitura në disa nga kombinimet më të shëmtuara të ngjyrave që lejohen në spektrin e dukshëm të dritës. Në të njëjtën mënyrë siç disa filma ju lënë me mospëlqimin e vazhdueshëm ndaj ndonjë aktori ose regjisori të caktuar, “Aquaman and the Lost Kingdom” ju largon nga kinemaja me urrejtjen e thellë ndaj ngjyrës së gjelbër.

Filmi kurrë nuk përpiqet të bëjë asgjë tjetër përveçse të duket mirë, ndërsa është jashtëzakonisht i shëmtuar. Fytyra e aktorit duket se është shartuar në një dyshe trupore dixhitale. Nicole Kidman, e rikthyer si nëna e Akuamanit, gjithashtu shfaqet e pashpirt në shumicën e skenave të saj, ndërsa Amber Heardit ofron shumë pak si mbretëresha Mera.

Më e çuditshmja nga të gjitha, askush nuk ia doli t’i bëjë të funksionojnë vizualisht skenat nënujore, kur ato përbëjnë 95 për qind të filmit. Çdo skenë është e mbushur me flluska ajri dhe peshq që lundrojnë përreth, ndërsa i gjithë dialogu ka efekte të mbivendosura zanore.

Për dhjetë minuta është qesharake. Për njëzet është i mërzitshëm. Për dy orë të mërzitet edhe kinemaja.

“Mbaji sytë hapur”, thotë Momoa gjatë përballjes kulmore, ndaj së cilës armiku përbindësh ia kthen me shaka: “Kjo është e lehtë, sytë e mi nuk mbyllen”! Audienca, megjithatë, shpeshherë e kupton se sytë po mbyllen. /Telegrafi/