LAJMI I FUNDIT:

Aliu: Lajm i mirë, linja hekurudhore Prishtinë- Aeroport po bëhet

Aliu: Lajm i mirë, linja hekurudhore Prishtinë- Aeroport po bëhet
Foto: Arkiv

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka njoftuar se linja hekurudhore “Prishtinë – Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari” si dhe linja R7, segmenti “Banullë – Carralevë”, po bëhen.

Ai tutje ka bërë të ditur se në takimin e Këshillit Ministror, bashkë me ministrat e transportit nga shtetet fqinje, kanë diskutuar për progresin që është bërë në rrugë e hekurudha, lehtësimin e transportit, korridoret dhe lidhjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor.


Takimi është organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit, në kuadër të procesit të modernizimit të transportit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë takim të frytshëm që tregoi se është bërë shumë progres, morëm lajmin e mirë që linja hekurudhore “Prishtinë – Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari” si dhe linja R7, segmenti “Banullë – Carralevë”, tashmë janë përfshirë në rrjetin e TEN-t, dhe rrjedhimisht kemi qasje në fondet e BE-së, ku prej tyre 50% janë grante për projekte hekurudhore dhe 40% për ato rrugore”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Njëherit, ai ka thënë se janë prezantuar të arriturat e Kosovës rreth legjislacionit dhe direktivave të BE-së si dhe progresin që është bërë në hekurudha e rrugë.

“Diskutuam për forma të reja të transportit, të munguara deri më tani, me kosto më të ulët dhe me ndikime sa më të vogla në mjedis. U dakorduam që të vazhdojmë takimet koordinuese rreth synimeve afatgjata, në mënyre që të arrijmë objektivat e përcaktuara, dhe të punojmë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta”, është shprehur ministri. /Telegrafi/