LAJMI I FUNDIT:

Berisha bën thirrje për protesta: Rruga e vetme që shqiptarët të votojnë të lirë

Berisha bën thirrje për protesta: Rruga e vetme që shqiptarët të votojnë të lirë
LSA

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në fjalën e tij në seancën e sotme plenare të Kuvendit deklaroi sërish se zgjedhjet e 14 majit ishin një farsë e turpshme kriminale.

Sipas tij, në zgjedhje u përdorën zgjedhësit fantazmë apo zgjedhësit që votuan mbi 1 herë, dy apo tre herë në qytete të ndryshme, që ishin në total 547 mijë të tillë.

“Në bashkinë e Vlorës ata arrinin në 29 për qind, në bashkinë e Vorës 15 për qind, në Përrenjas 28 për qind, në Kurbin 30 për qind, në Konispol 34 për qind, në Has 18 për qind, në Kamzë 21 për qind, në Durrës 23 për qind, në Shkodër 16 për qind, në Devoll 20 për qind, në Delvinë 34 për qind, në Mallakastër 11 për qind dhe kështu me radhë”, shtoi Berisha.


Është kjo ushtri e zgjedhësve fantazmë që u përdor masivisht për të mashtruar rezultatin e zgjedhjeve me 14 maj, krahas faktorëve të tjerë”, tha Berisha.

“Unë qëndroj këtu me thirrjen time të fuqishme, në protestë dhe vetëm në protestë. Përndryshe, ata që përpiqen të justifikojnë këtë vjedhje monstruoze të votës, bëhen mbështetës të një krimi të paparë në historinë elektorale. Unë kam bindjen se qindra mijëra idealistë që votuan për opozitën do ngrihen dhe do krijojnë mundësinë që të votojnë të lirë”, tha ai nga foltorja e Kuvendit.

Berisha u ndal edhe tek situata në Kosovë duke denoncuar sipas tij, “sintonizimin e qëndrimeve të Edi Ramës me padronin e tij, Vuçiç”.

“Një situatë dramatike u krijua në veriun e Kosovës. Analiza është bërë dhe duke mbështetur fuqimisht të drejtën e qeverisë së Kosovës për të vendosur ligjin në të gjithë territorin e saj, gjithashtu bëj thirrje që të ketë parasysh frymën e ligjit dhe të bashkërendoj veprimet me faktorin ndërkombëtar. Por jam këtu për të dënuar sulmet e turpshme antishqiptare të përditshme të Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës”, tha Berisha. /Telegrafi/