LAJMI I FUNDIT:

NDIEJE DASHURINË TIME

NDIEJE DASHURINË TIME

Poezi nga: Bob Dylan
Përktheu: Fadil Bajraj

Kur shiu t’i fshikullojë faqet
E bota t’i rëndojë supet
do të të përqafoja ngrohtësisht
që ta ndiesh dashurinë time


Kur hijet e mbrëmjes dhe yjet shfaqen
dhe s’e ke askënd pranë lotët të t’i fshijë
Do të mund të të mbaja me miliona vite
që ta ndiesh dashurinë time

E di se ende s’ke ndryshuar mendje
por kurrë s’do të të shkaktoja dhembje
Këtë e kam pasur të qartë që nga çasti kur t’kam parë
Se do jesh imja s’kisha kurrfarë hamendje

Do vdisja urie, do të shkallmohesha
Avenysë teposhtë do zvarritesha
Oh s’do lija gjë pa bërë
që sall ta ndieje dashurinë time

Stuhia po tërbohet në detin valëvitës
dhe në rrugën e mallëngjimit
erërat e ndryshimit po fryjnë tërbueshëm dhe lirshëm
ti ende s’ke parë dikë sikur mua

Do të mund të bëja të lumtur, ëndrrat do të t’i bëja zhgjëndër
dhe çmos do të bëja
për ty në skajet e botës do të shkoja
sall ti ta ndieje dashurinë time

S’MË PRITET
S’më pritet
S’më pritet që t’ma pndryshosh mendjen
Është vonë
Po përpiqem ta kaloj vijën
Ani, ka kaluar mesnata
Dhe ende ka njerëz kudo
Disa ngjiten
Disa zbresin
Ajri përcëllon e unë po përiqem të mendoj qartë
Dhe fare nuk e di sa gjatë do të mund të pres

Jam njeriu yt
Jam përpjekur ta rifitoj dashurinë tënde të këndshme çfarë e dinim
Ti e ke të qartë
Se pa ty zemra ime s’mund të vazhdojë së rrahuri
Por dashuria jote m’ka shituar

Do të doja të di se ç’është kjo që më shtyn të të dashuroj tej mase
Mezi po marr frymë duke qëndruar në portë
dhe nuk e kam të qartë se gjatë do të mund të pres

Qiejt janë të përhimtë
Jam në kërkim të asaj që do mund t’më siellte ndonjë afsh lumturie
Ditën apo natën
Më s’ka rëndësi se kah po shkoj sall rrugëtoj
Nëse pndonjëherë të shoh teksa kthehesh nuk e di si do të veproja
Do kisha qejf të mendoja se veten do mund ta kontrolloja
Por s’ma merr mendja
Ja se çfarë ndodh
Kur gjërat marrin teposhtëzën
Dhe fare nuk e di sa gjatë do të mund të pres

Jam i dënuar që më parë për të të dashuruar
Kam qenë duke u rrokullisur nëpër shtërngatë
Po mendoj në ty
Dhe për të gjitha vendet që do t’i kishim shëtitur bashkë
Është goxha kënaqësi
Fundi sapo ka filluar
Oh loçkë, pas gjithë këtyre vitesh ti ende m’je e vetmja
Ani de, po sorrollatem varrezave të shkretuara të mendjes sime
Jeta më braktisi me ty
Diku pas, përgjatë vijës
Pata menduar disi se kësaj dite do isha i kursyer
Nuk e di sa gjatë do të mund të të pres